75 Mall Live Search
15:23 / E Diele, 28 Prill 2019 / indeksADMonline

Vdekja e dy policëve në Kaçanik – Prokuroria mbyll hetimet

Një vit më parë ndërruan jetë dy policë, Armend Trena dhe Malsor Dashi, në lumin Lepenc.

Prokuroria e Ferizajit i ka mbyllur hetimet dhe nga materialet që ka grumbulluar ka konstatuar që dy policët që kishin vdekur ishin vetaksidentuar.

“Janë mbyllur hetimet, pas dëgjimit të dëshmitarëve, ekspertizave, autopsisë- hetimit të vendit të ngjarjes kanë rezultuar se ka qenë vetaksident”, tha për Express Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizaj, Shukri Jashari.

Por si ndodhi ky aksident?

Policia tha se vetura zyrtare në të cilën gjendeshin dy policët kishte humbur kontrollin dhe kishte dalë nga rruga duke rënë nga një lartësi në rrjedhën e lumit Lepenc.

Për gjetjen e trupave të tyre institucionet kompetente të Kosovës u mobilizuan dhe kërkuan disa ditë rresht nëpër lumin e rrëmbyeshëm. Numër i madh i zhytësve u angazhuan në këtë proces.

Dramë e madhe derisa u gjetën trupat e tyre

Trupat e tyre u gjetën disa ditë më vonë në ujërat e lumit Lepenc pas kërkimeve nga ekipet e Policisë, FSK-së, Zjarrfikësve e qytetarëve vullnetarë. Nga Lepenci pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk u nxorrën të gjallë.

Dy policët, Malësor Dashi e Armend Trena, u aksidentuan më 28 prill të vitit 2018. Trupi i Malësor Dashit u gjet pesë kilometra nga vendi i ngjarjes, ky dyshohej fillimisht se kishte rënë vetura. Ndërsa, trupi i Armend Trenës, u gjet në ditën e dhjetë të kërkimeve, gjashtë kilometra nga vendi i ngjarjes, në lumin Lepenc më saktësisht në vendin e quajtur “Kulla me Çeshme”.

Në praninë e shumë qytetarëve policëve iu dha lamtumira e fundit.

Armendi dhe Malësori morën epitetin hero

”Fatkeqësia e dy policëve të rënë në lumin “Lepenc” i ka prekur gjithë qytetarët e vendit”, kishte shkruar presidenti Hashim Thaçi kur u gjet trupi i Armend Trenës.

Për humbjen e hershme të tyre reaguan krerët më të lartë të shtetit.

“Ndajmë dhimbjen me familjarët e policëve për këtë tragjedi që u ndodhi dhe si Qeveri e vendit, zotohemi që do t’u qëndrojmë pranë për t’u përballur me humbjen e më të dashurve të tyre”, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj.

“Ngushëllime familjes Trena, gjithë miqve e bashkëpunëtorëve të policit Armend Trena. Djem si ai dhe kolegu i tij Malsor Dashi, janë heronjtë e vertetë të shtetit të Kosovës, që punojnë për një ambient me të sigurt dhe për barazi qytetare”, kishte shkruar në Facebook kryeparlamentari Kadri Veseli. Po në vendin ku vdiqën dy policët në magjistralen Hani-Elezit-Kaçanik kanë ndodhur edhe aksidente tjera të rënda.