Delegacioni kosovarë dy orë në takim me ambasadorin amerikan në Berlin
Sapo ka përfunduar takimi ndërmjet delegacionit kosovarë, i prirë nga presidenti Thaçi, kryeministri Haradinaj dhe zëvendëskryeministri Pacolli dhe ambasadorit amerikan në Berlin, Richard A. Grenell.
Delegacioni kosovar para se të hyjë në takimin e Samitit të Berlinit, thuhet se është konsultuar paraprakisht me Ambasadorin amerikan në Berlin, raporton Indeksonline.

Pas takimit me ambasadorin amerikan, Haradinaj dhe Thaçi kanë shkruar në Facebook, ku edhe kanë treguar se çfarë është biseduar.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se në këtë takim e kanë theksuar rëndësinë e ShBA-së për Kosovën.
Sipas tij, roli i Amerikës është vendimtar.
“Për Republikën e Kosovës është shumë i rëndësishëm koordinimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Para nisjes së Samitit të Berlinit, një takim me rëndësi kishim edhe me ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell. Roli i SHBA-së ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë vendimtar për ne. Jemi të bekuar me mbështetjen e SHBA-së! HTH”, ka shkruar Thaçi.
Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj, ambasadorit amerikan në Gjermani ia ka theksuar përkushtimin e Kosovës për procesin e dialogut me Serbinë.
Haradinaj poashtu ka theksuar se institucioni që ai udhëheq kundërshton idenë e këmbimit të territoreve.
“Në kuadër të vizitës zyrtare në Berlin, sot zhvillova një takim me Ambasadorin e ShBA-ve në Gjermani Richard Grenell, të cilit i shpreha përkushtimin e Kosovës për procesin e dialogut me Serbinë, për konsolidimin e ekipit negociator të vendit dhe për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, bazuar në ligjet dhe kushtetutën e vendit dhe se Kosova është e gatshme për tregti të lirë me Serbinë, si pjesë e një marrëveshje që rezulton me njohje reciproke”.
“Theksova gjithashtu se Qeveria e vendit kundërshton fuqishëm idenë e këmbimit të territoreve, duke e cilësuar si opcion të rrezikshëm dhe që do ta destabilizonte jo vetëm vendin por edhe rajonin. Ambasadorit Grenell i tregova për progresin e arritur në vend në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit dhe për përkushtimin e Kosovës për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, gjithmonë në partneritet me aleatët tanë dhe me aspiratat tona për rrugën euro-atlantike. Roli i ShBA-ve në proceset e mëtejme politike të vendit është i domosdoshëm!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Gjatë ditës, presidenti Thaçi ka theksuar se nuk mund të ketë dialog, pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës./Indeksonline/