Hetimet në Kongres, Trump padit bankat për të bllokuar raportimet financiare
Presidenti amerikan, Donald Trump, 3 fëmijët Donald Jr, Eric, Ivanka dhe bizneset e tij paditën dy banka për të bllokuar dorëzimin e rekordeve financiare në komitetet e Kongresit që kanë kërkuar një informacion të tillë.
Kjo është përpjekja e dytë gjyqësore që kreu i Shtëpisë së Bardhë ndërmori këtë muaj, për të penguar Dhomën e Përfaqësuesve të drejtuar nga Demokratët që të hetojnë historikun e tij financiar. Veprimi ligjor është bërë në Distriktin Jugor të Nju Jorkut dhe është kundër “Deutsche Bank” dhe “Capital One”.
“Kërkesa për informacion është bërë për të ngacmuar presidentin Donald Trump duke rrëmuar në çdo aspekt të financave personale, bizneseve, dhe informacionit privat të Presidentit dhe familjes së tij, në mënyrë që të zbulohet ndonjë material që mund të përdoret për t’i shkaktuar dëme politike. Nuk ekziston asnjë qëllim tjetër, përveç atij politik”, u shprehën avokatët e Donald Trump.
Avokatët e presidentit amerikan pretendojnë se kërkesa e Kongresit shkel ligjin për privatësi bankare. Ndërkaq, “Deutsche Bank” thotë në një deklaratë se do të garantojë çdo informacion të përshtatshëm për hetimet e autorizuara dhe se do t’i bindet vendimeve të gjykatave amerikane për këtë çështje.