20:35 / E Enjte, 02 Maj 2019 / indeksADMonline

Cili është vaji i duhur për makinën tuaj?

Vaji i motorit i duhur për makinën tuaj mund të duket një sfidë e vërtetë, por mënyra më e mirë për të filluar është të kontrolloni gradën e vajit të sugjeruar nga prodhuesi i makinës.

Pasi të keni zgjedhur gradën mund të kaloni tek përzgjedhja e një markë të veçantë vaji motorik në bazë të standardeve të përcaktuara nga Instituti Amerikan i Naftës (API).

Detyra juaj e tretë është të zgjidhni dendësinë që i përshtatet temperaturës me të cilën operon makina normalisht.

Të kuptoni etiketat

Bëhet fjalë për emërtimet që gjenden në çdo paketim të enës me vaj motorik. Skema në të djathtë e API tregon nëse vaji plotëson vlerësimin aktual të shërbimit (C për motorët me naftë). Gjithashtu skema tregon nëse vaji ka kaluar testin e Ruajtjes së Energjisë. Simboli i yllit në të majtë tregon se vaji ka kaluar testimet laboratorike dhe motorike.

Vaji shërben për lubrifikimin dhe freskimin e pjesëve në lëvizje, mbajtjen e tyre pastër dhe ndihmon për lëvizjen e pistonave në cilindra. Pa vaj motori mund të punojë vetëm disa sekonda, pastaj do të ngecë.

Pra siç mund ta kuptoni, vaji është shumë i rëndësishëm, dhe është në interesin e çdokujt që të zgjedhë vajin e përshtatshëm, me një çmim të arsyeshëm.

Trashësia

Trashësia vlerësohet në -18°C (numri që ndiqet nga shkronja ‘W’, dhe bëhet fjalë për në dimër) dhe në 100° C (numri i dytë për përcaktimin e trashësisë).

Vaji i motorit hollohet kur është nxehtë, dhe trashet kur është ftohtë, prandaj bëhen dy vlerësime të ndryshme, për temperatura të ndryshme.

Sa më rezistent që të jetë vaji ndaj hollimit, aq më i madh numri i dytë, dhe kjo është një gjë e mirë. Sa më i trashë të jetë vaji, aq më mirë i ngjesh dhe lubrifikon pjesët e lëvizshme.

Në temperatura të ulëta, vaji duhet të jetë rezistent ndaj trashësisë së tepërt në mënyrë që të rrjedhë më lehtë nëpër pjesët e lëvizshme motorike.

Nëse vaji është shumë i trashë, motori kërkon më shumë energji për të kthyer boshtin, i cili është pjesërisht i zhytur në vaj. Gjithashtu, do të jetë më e vështirë për të ndezur motorin, gjë që çon në konsum më të lartë të karburantit.

Rekomandohet që vaji të ketë parametrat 5W për dimër. Megjithatë vaji kalon testimin edhe me parametër 0W.

Kur motori vihet në punë, vaji nxehet. Numri i dytë në parametrat e vlerësuar, për shembull 40-ta në 10W-40, tregon se vaji do të qëndrojë i trashë edhe në temperatura të larta, më tepër se një vaj me parametra 10W-30.

Pse ka kaq shumë vajra?

Nëse e keni vënë re, ka shumë lloje vajrash për qëllime specifike: motora të teknologjisë së lartë, makinat e reja, automjetet me kilometrazh të lartë, SUV-ë për rrugë të vështira. Secila makinë kërkon një lloj vaji. E rëndësishme është që të shihni manualin e makinës, në mënyrë që të bëni zgjedhjen e duhur të vajit.

Le të hedhim një sy llojeve të ndryshme të vajrave, në bazë të trashësisë që kanë.

Vaj Premium Konvencional

Ky është vaji standart për makinat e reja. Ky vaj ofrohet me parametra të ndryshëm në bazë të temperaturave të ambientit, më saktë për dimër apo për verë.

Më e rëndësishmja është që të ndërrohen vaji dhe filtrat rregullisht. Një interval prej 6500 km është idealja, ose minimumi dy herë në vit.

Vaj tërësisht sintetik

Vajrat për makina me teknologji të lartë, qoftë Chevrolet Corvette ap0 Mercedes-Benz, janë komplet sintetikë. Nëse këto vajra kalojnë testet e rrepta (të specifikuara në etiketa) kjo do të thotë se kanë performancë të lartë dhe të qëndrueshme. Ato rrjedhin më mirë në temperaturë të ulëta dhe i përmbahen lubrifikimit në temperatura të larta.

Megjithatë këto vajra janë të shtrenjtë, dhe jo çdo motor ka nevojë për to. Përsëri, për këtë duhet lexuar manuali i përdorimit.

Vaj sintetik i përzier

Përmban një dozë vajrash sintetikë të përzier me vajra organikë, dhe janë të formuluar për të ofruar mbrojtje për ngarkesa të rënda dhe temperatura të larta.

Këta vajra avullojnë më ngadalë, treten më pak, pra reduktohet humbja e vajit dhe ulet konsumi i karburantit. Këto vajra përdoren për SUV-ë, dhe janë më pak të kushtueshëm se vajrat plotësisht sintetikë.

Vaj për makina me kilometrazh të lartë

Gati dy e treta e automjeteve që qarkullojnë, kanë një kilometrazh prej më tepër se 120,000 kilometra. Prandaj prodhuesit e vajrave, kanë prodhuar këtë vaj, në interes të shumicës.

Nëse automjeti juaj është i vjetër, do të thotë që vaji duhet ndërruar më shpesh.

Mund të keni vënë re një rënie të performancës dhe butësisë së motorit si rezultat i konsumimit të motorit në automjetet që kanë shumë kilometra të përshkuara. Vajrat për këto lloj automjetesh duhet të jenë më të dendur, në mënyrë që të ngjeshë pistonin në cilindër më mirë.

Ato gjithashtu mund të përmbajnë një dozë substancash të cilat ngadalësojnë procesin e konsumimit.

Prapë kemi për të mësuar më shumë rreth vajrave.

Indeksi i dendësisë

Indeks i dendësisë quhet rezistenca ndaj hollimit si pasojë e rritjes së temperaturës. Vaji duhet të jetë i fortë, në mënyrë që të mund të qëndrojë për mijëra kilometra deri në ndërrimin tjetër të vajit.

Vaji është i prirur të humbasë dendësinë nga lëvizjet fërkuese midis sipërfaqeve të metaleve të pjesëve të lëvizshme, siç janë kushinetat. Rezistenca ndaj humbjes së dendësisë është e nevojshme në mënyrë që vaji të vazhdojë të lubrifikojë.

Vajrat motorikë janë bashkim i disa vajrave të prodhuar në kushte të ndryshme, dhe në denduri të ndryshme. Në përgjithësi, përzihen rreth pesë lloje vajrash.

Paketa e vajrave bazë përbën 75 deri në 90% përzierje, pjesa tjetër është substanca të shtuara. Por kjo nuk do të thotë se një vaj me 75% vajra bazë është më i mirë se një vaj me 90%. Kjo sepse disa vajra bazë kanë karakteristika natyrale të cilat reduktojnë ose eliminojnë nevojën për substanca shtesë.

Përbërësit në substancat e shtuara ndryshojnë në kosto, dhe jo vetëm. Disa substanca punojnë më mirë në kombinime të caktuara vajrash, dhe disa substanca të lira janë një zgjedhje më e mirë për disa përzierje.

Kryesorja është që: çdo motor ka një recetë vaji. Më poshtë është një listë e nevojave të konsumatorëve, dhe vajrave që i përshtaten më tepër këtyre nevojave.

Substancat e vajit

Përdorimi i substancave është një tjetër synim për të përmirësuar performancën e vajit. Temperaturat e larta të motorit kombinohen me lagështi, nënproduktet e djegies, ndryshkun, korrozion, e të tjera. Substancat shtesë nuk ndihmojnë vetëm në lubrifikim e vajit por edhe në reduktimin e këtyre dëmtimeve. Më poshtë jepen kategoritë e përbërësve kryesorë shtesë, dhe pse ato janë të rëndësishëm:

  • Përmirësuesit e indeksit të dendurisë: redukton tendencën e vajit për tu holluar në temperatura të larta
  • Detergjente: qëllimi i tyre është të mbajnë sipërfaqet pastër nga ndryshku dhe korrozioni.
  • Shpërbërësit: shpërbëjnë grimcat e ngurta, në mënyrë që të mos formohet llum, llak dhe acide.
  • Agjentët anti-konsumim: ka raste kur lubrifikimi ngec, kështu që agjentët anti-konsumim duhet të mbrojnë sipërfaqet e metalit. Një përzierje zinku dhe fosfori i quajtur ZDDP shërben për këtë.
  • Modifikuesit e fërkimit: reduktojnë fërkimin e pjesëve motorike dhe ulin konsumin e karburantit.
  • Antioksidantët: janë të nevojshëm për të parandaluar oksidimin, ndërkohë që temperaturat e motorit rriten.
  • Indikatorët që pengojnë shkumëzimin: boshti i cili fshikullon përmes vajit shkakton flluska. Këto indikatorë përdoren për të shpërthyer flluskat që formohen.
  • Indikatorët që pengojnë ndryshkun dhe korrozionin: mbrojnë pjesët metalike nga acidet dhe lagështira.

Më shumë nuk do të thotë më mirë

Nuk mund ta përmirësosh një vaj duke vendosur sasi të larta substancash. Një substancë mund të jetë zgjidhje për një problem, por duke u përdorur në sasi të larta, mund të shkaktojë një problem nga ana tjetër, si për shembull konsum më të lartë të karburantit.

Mos harroni filtrat

Filtrat e vajit janë një temë krejt e ndryshme, por shumë e rëndësishme, kur është fjala për ndërrimin e vajit. Sigurohuni që filtrat të jenë të përshtatshme për sasinë e vajit që përdorni për makinën tuaj. /Auto Ekspress