75 Mall Live Search
17:19 / E Premte, 03 Maj 2019 / indeksADMonline

Arbëreshët e Italisë po qëndrojnë në Kosovë, vlerësohen si pishtarë të Rilindjes kombëtare

Në Kosovë po qëndron një delegacion i kryetarëve të komunave arbëreshe në Itali.

Kosova i priti me një seancë solemne në Kuvend, ku deputetët i falënderuan për krejt çka kanë bërë ndër shekuj që të ruajnë gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Ministri i Diasporës, Dardan Gashi tha se është i lumtur që takimi i parë të këtij lloji, me kryetarët arbëreshë, organizohet nga ministria e Diasporës, në Kuvendin e Kosovës.

“Ju arbëresh të Italisë, duke qene pjesë e civilizimit evropian, ishit pishtarët e rilindjes kombëtare duke u bashkuar me bashkëmendimtarët pro-evropian në Shqipëri, për të çliruar toka shqiptare dhe rikthyer popullin tonë në familjen evropiane. Edhe sot, kur Kosova dhe Shqipëria kanë nisur rrugëtimin në Bashkimin Evropian, ju jeni ura lidhëse e popullit tonë me civilizimin evropian. E për këtë falënderojmë popullin mik italian dhe institucionet e këtij vendit, që mundësuan që me shekuj ju ta ruani gjuhën, kulturën dhe kishën tuaj të pavarur arbëreshe. Shumë shpejt, ëndrra e Skënderbeut do të bëhet realitet e edhe me ndihmën tuaj, populli shqiptar dhe arbëreshët e Italisë, do të jenë pjese e një unioni shtetesh evropiane dhe do të jetojnë si një popull nën një kulm!”, tha Gashi.

Ai tha që sot ka të tillë që tentojnë ta rishkruajnë historinë duke pretenduar se pushtimi otoman nuk ishte pushtim, por një bashkëqeverisje me një pushtues.

Gashi tha se arbëreshët janë shembulli më i mirë dhe i gjallë se nuk ka pushtues të mirë. Ai tha se pushtimi osman shkëputi shpirtërisht e fizikisht shqiptarët nga Evropa.

Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli iu drejtua atyre në gjuhën italiane.

“Faleminderit Itali që ke bërë të mundur që të bëjë të jetoj një pjesë shumë të bukur, një etnitet shumë të bukur. Ju jeni pjesa me të cilën krenohemi më së shumti, përfaqësues edhe të Italisë jeni. Italia nuk është larg nesh, është afër, Italia ka qenë shumë afër ne kosovarëve, vetëm para 20 viteve kur ky popull ka jetuar ditët e tij më të tmerrshme. Kanë qenë ditë ‘të ekziston apo mos të ekzistosh’, e nga Italia kanë ardhur ndihmat që na kanë bërë të jetojmë, që na kanë ndihmuar të rezistojmë edhe në këtë pjesë të Adriatikut. Ju jemi shumë mirënjohës Italisë, dyfish”, tha ai.

Ndërsa, në emër të grupit të arbëreshëve të Italisë Rosario Petta tha se po e ndiejnë veten si në shtëpi të vëllezërve.

“Sot e ndjejmë vetën në shtëpinë tonë, Ndjehem në shtëpinë e një vëllau tim i cili vetëm gjeografikisht jeton larg meje, vëlla që ka të njëjtin gjak në vena sikur unë Gjak arbëresh…Faleminderit të gjithëve me zemër”, tha Petta.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar, Armend Zemaj shpreson që në të ardhmen të ketë edhe forma të tjera të bashkëpunimit, në mes të Kosovës dhe arbëreshëve të Italisë.

“Uroj qëndrim të këndshëm në Republikën e Kosovës, më vjen mirë që jeni bashkë me ne në tempullin e demokracisë, ku janë përfaqësuesit e popullit të zgjedhur me votën e lirë dhe shpresoj që ky bashkëpunim të jetë edhe në mënyra të tjera i përcjellur. Unë kam fatin që jam edhe kryetar i grupit të miqësisë Kosovë –Itali në Parlamentin e Kosovës, zotohem që sa herë na jepet mundësia e bashkëpunimin ndërparlamentar, vëmendje të veçantë do i kushtoj takimeve me ju dhe mbajtjes së vijës kontaktit jo vetëm në mënyrë vëllazërore por edhe institucionale”, tha ai.

E Nait Hasani nga Partia Demokratike e Kosovës tha se pjesëmarrja e arbëreshëve këtu tregon që të gjithë jemi shqiptarë.

“Për ne si popull, si shqiptarë pjesëmarrja juaj këtu tregon që ne jemi shqiptar të gjithë, historia dhe vuajtjet, mundimet na kanë ndarë. Sot kemi ndoshta jemi me ndjenja me gjak shqiptari e nuk merremi vesh, kjo është më e rënda e historisë sonë. Jemi popull i shpërndarë në shumë vende, nuk jemi vetëm në Itali. E keqja e gjithë kësaj është që kemi ndërtuar shumë shtete e shtetin tonë e kemi lënë të fundit, e kemi lënë të copëtuar. Ndoshta kur Zoti ka krijuar vendet , ka krijuar Ilirinë në at koh, Arbërinë, Shqipërinë, si vend të shenjtë dhe të gjithë e kanë sulmuar. Nga gjithë këto sulme ne kemi qëndruar dhe sot flasim shqip n vendin tonë. Andaj Zoti ka bekuar Kosovën, Zoti ka bekuar këtë vend të shqiptarëve”, tha Hasani.

Ai tha se historia e lashtë është një tregues i rëndësishëm i jetës së shqiptarëve si popull.

Hasani tha se tani, pas luftërave të gjata, dhe luftës së fundit të UÇK-së, kanë arritur ta bëjnë Kosovën shtet të pavarur e një mbështetje të madhe i ka dhënë edhe Italia, që është një prej vendeve të para që e njohu shtetësinë.

E Fatmire Kollçaku nga Lëvizja Vetëvendosje tha se arbëreshët kanë arritur që për më shumë se gjashtë shekuj të ruajnë identitetin përmes gjuhës shqipe, traditave e zakoneve.

Ajo tha se institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë, të bëjnë më shumë, që të ketë më shumë shkëmbime.

Të kemi më tepër shkëmbime dhe koordinime institucionale si kulturore, shkencore, tregtare, të tregojnë institucionet të cilat janë të thirrura edhe në vepër, ta zgjasin dorën dhe kudo që është një shqiptar që të kontribuojmë në afrimin e tyre. Ju si arbëreshë e keni dhënë provimin, radhën e kanë institucionet në Kosovë dhe Shqipëri ta kryejnë punën e tyre”, tha ajo.

Kollqaku tha se institucionet duhet të punojnë më shumë për ruajtjen e gjuhës shqipe.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi tha se është obligim i institucioneve që të vazhdojnë marrëdhëniet me Italinë dhe arbëreshët.

“Arbëreshët janë palca e kurrizit të arbrit, shqiptarëve , gjakut tonë që e mbajtën gjithmonë jetën gjallë si shqiptarë të vërtetë. Kjo neve na bënë shumë të lumtur, tani ai obligimi është I institucioneve tona, të vazhdojmë në marrëdhëniet me Italinë sa më të fuqishme, në marrëdhëniet me ju që të jemi sa më afërt në mënyrën e komunikimit tonë”, tha ai.

Ndërsa Shqipe Pantina nga PSD tha se arbëreshët janë shembulli më I mirë I ruajtjes së vlerave kombëtare.

“ Ju jeni një shembull I mirë që duke jetuar në një shtet me demokraci të zhvilluar krahas integrimit edhe në institucionet politike dhe jetën publike atje, mund të ruhen shumë mirë dhe të kultivohen edhe vlerat kombëtare edhe historike, dhe shembullin e kemi para nesh. Ky do të jetë një shembull që edhe ne në Kosovë do e kultivojmë tutje. Një ditë arbëreshët e Italisë do të jenë edhe ministra, pse jo edhe kryeministër ne qeverinë italiane”, tha ajo.

Para se të fillojë seanca arbëreshët mysafirë kanë performuar me një pikë artistike.

Grupi i arbëreshëve nga Italia gjatë ditës kanë qëndruar në Ministrinë e Mbrojtjes ndërsa në mbrëmje do të priten nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.