Nderohet në Letoni nëntetarja Zarife Hasanaj, trupi mbërrin në atdhe të enjten
Në një ceremoni të veçantë në bazën ushtarake Camp Adazi në Letoni, është nderuar nëntetarja Zarife Hasanaj, ushtarakja që humbi jetën në krye të detyrës. Kolegë të saj nga kontigjenti në grup batalionin e NATO-së Letoni dhe përfaqësues ushtarakë shqiptarë në NATO ishin pjesë e ceremonisë ku nuk munguan lotët për humbjen e 32-vjeçares.
Zarife Hasanaj humbi jetën pasi një minë të cilën apo po përpiqej ta çmontonte shpërtheu, duke lënë të plagosur edhe dy kolegë të saj shqiptarë, major Klodian Tanushi dhe rreshteri Julian Kapaj, të cilët ndryshe nga e reja nga Tropoja nuk ishin për herë të parë me misione jashtë vendit.
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka vizitoi dy ushtarakët e plagosur, ku mësohet se major Klodian Tanushi është në gjendje të rëndë. Ministrja e Mbrojtjes ndërpreu dje vizitën zyrtare në Itali ku do të takohej me kryeministrin, Juseppe Conte dhe homologen italiane Elisabetta Trenta.
Sot drejt Letonisë është nisur një Task Forcë e ngritur me urgjencë nga Ministrja e Mbrojtjes për të hetuar ngjarjen që i mori jetën ushtarakes dhe plagosi dy të tjerë.
Autoritetet letoneze deklarojnë se do t’u sigurojë shqiptarëve të gjithë mbështetjen që kanë nevojë, duke përfshirë transportimin e ushtarakes së vdekur dhe ushtarëve të dëmtuar.