Familjarët kërkojnë drejtësi për anëtarët e “Grupit Kumanova”
Familjarët e “Grupit Kumanova” po protestojnë në sheshin e Prishtinës.
Me flamuj kombëtar e pankarta në duar ata po kërkojnë drejtësi për familjarët e tyre që po mbahen në burg nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut lidhur me konfliktin që ndodhi para katër vitesh në lagjen e Trimave në Kumanovë.


Në mesin e tyre kanë dalë edhe fëmijë të cilët me pankarta në duar “Ne kërkojmë Drejtësi” po protestojnë në sheshin e kryeqytetit.

Nga 37 të akuzuar për “Terrorizëm” dhe “Organizatë terroriste”, 33 persona janë dënuar për veprat, ndërsa katër persona është sjell aktvendim lirimi.Gjykata Penale në nëntor të vitit 2017 me burg të përjetshëm i dënoi Andi Krasniqi-Malisheva, Demë Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Bekiri, Valdet Zekaj, Beg Bajra dhe Fejzulla Rushitovski. Me 40 vite burg u dënuan, Komandant Sokoli, Esat Kafexholli, Ardian Bujari, Shefqet Hallaçi, Betim Kabashi, Genci Sefaj, Enver Hoxha Klein, Rufki Dogani, Bajram Elshani, Nexhmedin Lika, Lirim Krasniqi, Sevdail Miftari, Fatmir Reçica.Me 20 vjet burg janë dënuar Kenan Isni, Fadil Elshani, Lirim Demiri, Hajrush Abdia, Landrit Rrustemaj, Mirsad Qerimi. Musadik Pajaziti dhe Ebip Aliji janë dënuar me nga 12 vite burg. Arsim Bajrami dhe Elham Arifi nga 13 vite. 14 vite iu shqiptuan Seadudin Abdullait ndërsa 18 vite Ragmi Latifit.
Prej të dënuarve, 19 janë shtetas kosovarë ndërsa të tjerët nga Maqedonia. Vetëm katër persona të akuzuar për logjistikë nga Maqedonia janë liruar tërësisht nga akuzat. Vlerësimi i aktakuzës u bë në fund të vitit 2015 kur për herë të parë, grupi prej 37 të akuzuarve u mblodh në sallën e vogël të Gjykatës Penale. Shqyrtimi kryesor filloi më 10 shkurt të vitit 2016. Seancat e para gjyqësore ishin thuajse të heshtura, por në fjalët hyrëse që kishin mundësi t’i japin të arrestuarit, u denoncua likuidimi i Beg Rizajt dhe Mirsad Ndrecajt, por edhe disa pjesëtarëve të grupit, pas arrestimit.Prokuroria kërkoi burg të përjetshëm për të gjithë 37 të akuzuarit për “Terrorizëm” dhe “Organizatë terroriste”.

Katër vite më parë Indeksonline raportoi vazhdimisht për këtë konflikt që tronditi jo vetëm Maqedoninë por edhe vendet me gjerë.
