Vazhdon kaosi në rrugët e Tiranës, përleshje mes Policisë dhe qytetarëve
Polica dhe protestuesit janë konfrontuar në mes vete edhe në orët e vona të mbrëmjes së sotme.
Pas arrestimit të sekretarit organizativ të PD-së, Sahit Dollapi, Basha u kërkoi protestuesve që të drejtohen tek Drejtoria Policore e Tiranës, ku u pritën me gaz lotsjellës dhe topa ujë nga Policia.
Protestuesit janë zhvendosur në rrugë ku po hedhin gur në drejtim të policisë, e cila në anën tjetër po vazhdon hedhjen e ujit dhe gazit lotsjellës.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj ka bërë të ditur se 13 policë janë lënduar nga protesta e sotme.
Ai i ka bërë thirrje qytetarëve që të distancohen nga grupi që po sulmon Policinë dhe institucionet, transmeton Indeksonline.
“13 policë janë lënduar nga dhuna ekstreme e organizuar dhe drejtuar në mënyrë politike. Përsëris thirrjen ndaj qytetarëve që të distancohen nga grupi që sulmon Policinë dhe institucionet!”, ka shkruar Lleshaj.
