75 Mall Live Search
12:20 / E Hënë, 13 Maj 2019 / indeksADMonline

Shembja e dheut rrezikon banorët, Komuna e Ujësjellësi përplasen për shkaktarin

Banorët e disa ndërtesave në rrugën ‘Qamile Jaka’ në Prishtinë janë evakuuar pas rrëshqitjes së dheut afër një vend punishte. Një pjesë e rrugës është shembur ndërsa ekspertët kanë ngritur alarmin për rrezik të mëtejmë. Në vendin e ngjarjes ndodhen të gjitha ekipet e nevojshme, Policia, Emergjenca, Inspektorati, zyrtarët komunal dhe KEDS-i. Këta të fundit kanë ndërprerë energjinë elektrike pasi afër shembjes së dheut është edhe një shtyllë elektrike derisa kompania e cila po kryen ndërtime është duke vendosur zhavorr për të parandaluar ndonjë shembje të radhës.

Zyrtarët komunal kanë thënë se shkaktar mund të jetë shpërthimi i një gypi të ujësjellësit, porse këtë nuk po e pranon Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” duke thënë se në fakt gypi ka pëlcitur pas shembjes së dheut
në gropën ndërtimore të objektit që është në fazë ndërtimi, raporton Indeksonline.

Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri tha se sipas zyrtarëve të emergjencave shkaktar mund të jetë shpërthimi i një gypi të ujësjellësit.

“Sipas zyrtarëve të emergjencave shkaktar mund të jetë shpërthimi i një gypi të ujësjellësit, në këtë rast kompania ka leje ndërtimi, pilotat janë të vendosur”, tha ai.

Ndërsa zëdhënësja e KRUP, Arjeta Mjeku ka thënë se realiteti i pamohuar dhe profesional e thotë të kundërtën, Gypi i Ujësjellësit ka pëlcitë për shkak të shembjes së dheut.

“Më datë 13.05.2019, rreth orës 00:40 minuta, ekipet e KRU ,,Prishtina,, kanë marrë njoftim se ka shpërthyer një tubacion i furnizimit me ujë të pijshëm në Lagjen e Muhaxhirëve afër stacionit të policisë nr.2. Ekipet teknike të KRU ,,Prishtina,, kanë dalë menjëherë në terren dhe rreth orës 00:55 minuta kanë ndërprerë linjën e furnizimit me ujë që është linjë HDPE RC Ø 110 mm e montuar në vitin 2014. Dëmtimi i kësaj linje ka ardhë si pasojë e shembjes së dheut ne gropën ndërtimore të objektit që është në fazë ndërtimi, në pjesën e poshtme të rrugicës. Një material i tillë siç është materiali HDPE pranon lëvizje të vogla dhe devijime deri ne 11°, por jo me shumë”, ka deklaruar ajo.

Kurse, në shkollën fillore “Naim Frashëri”, është ndërprerë mësimi për shkak se një kran i ndërtimit të lartë ndodhet afër vendit të shembjes./Indeksonline/