Molliqaj: Arrestimi im nga Policia e Kosovës u bë pa asnjë ftesë paraprake
Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj përmes një video të publikuar në profilin e tij Facebook është deklaruar rreth arrestimit të tij të sotëm nga Policia e Kosovës.
Molliqaj ka thënë se arrestimi i tij u bë pa asnjë ftesë paraprake për të shkuar në ndonjë gjykatë dhe në kundërshtim me procedurat në fuqi, përcjellë Indeksonline.
“Sot rreth orës 8:00 të mëngjesit, Policia e Kosovës më arrestoi në banesën time në Prishtinë në të cilën banoi me qira, pa paralajmërim dhe ftesë nga institucionet përkatëse.
Më 12 të këtij muaji, ditë e diel, gjykata kishte marrë vendim për arrestimin për rastin që ka ndodhë në vitin 2015, për një protestë që kishim organizu si Lëvizje Vetvëvendosje dhe kjo nuk është një dukuri e zakonshme, pasi që kjo ka ndodhë 4 vite më parë, ndërsa vendimi për arrest vjen ditën e dielë”, thotë Molliqaj.
Deputeti madje thotë se ky rast dëshmon që gjyqësia në Kosovë është e kapur nga segmenttd e politikës kosovare.
“Pavarësisht që policia janë sjellur mirë, kjo ka ndodhë pa i respektu procedurat të cilat janë të obligyar. Protestat që kemi mbajtë janë të drejta dhe çdo ndërhyrje në sistem të drejtësisë janë ndërhyrje politike. Nuk jam pishman për asnjë protestë”, shtoi tutje ai.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar sot opinionin se ndaj deputetit Dardan Molliqaj, më 22.10.2015, është pranuar kallëzimi penal i ushtruar nga Policia e Kosovës, në drejtim të veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, nga neni 410 paragrafi 1 të KPRK-s.
Molliqaj akuzohet se ka sulmuar një zyrtar policor-Komandantin e këtij stacioni policor, Driton Imerin, ashtu që i njëjti përkundër disa ftesave të dërguara nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, për t’a siguruar deklaratën e tij, nuk është paraqitur dhe asnjëherë nuk e ka arsyetuar mos paraqitjen e tij në intervistim./Indeksonline/