75 Mall Live Search
22:01 / E Hënë, 13 Maj 2019 / indeksADMonline

Projektligji për Financimin e Partive i dëmshëm, të tërhiqet e punohet nga fillimi

Ndryshimet e bëra në Projektligjin për financimin e partive politike kanë nxitur reagime të shumta nga shoqëria civile dhe nga njohës të çështjeve të tilla në vend.

Përkundër faktit se draft-projektligji i hartuar nga Qeveria e Kosovës është cilësuar në mënyrë pozitive edhe nga organizatat joqeveritare por edhe nga Komisioni I Venecias, shqyrtimi i tij ën komisionet në Kuvend, besohet se ka ndryshuar rrënjësisht atë.

Të paktën kështu thonë pjesëtarë të shoqërisë civile, derisa për Indeksonline shpalosin edhe pikat kritike, të cilat sipas tyre kanë dëmtuar ndryshimet pozitive që janë bërë fillimisht.

Ata madje bëjnë thirrje që ky projektligj të tërhiqet mbrapa dhe të kthehet në pikën zero të ndryshimit të tij.

Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” derisa ka renditur pikat problematike të miratuara nga komisionet e veçanërisht nga Komisioni për Buxhet dhe Financa, ka thënë se ndryshimet e bëra e dëmtojnë transparencën e financimit të subjekteve politike.

Kompetencat e zyrës për certifikimin e partive politike, rritja e shumës së donacioneve, rritja shumës së keshit që personat fizik apo politik mund të i dhurojnë partive politike, heqja e propozimit që raportet financiare të publikohen në faqet e partive çdo tre muaj, janë vetëm disa vërejtjet që Demhasaj nga “Çohu” ka për projektligjin.

“Elementi kryesor i këtij ligji ka qenë Zyra për Certifikim të Partive Politike dhe për Kontroll Financiar që iu ka jap me ligj fillimisht një pavarësi që me pas mundësi me shqiptuar gjoba ndaj shkelësve të ligjit, ajo kompetencë iu ka marrë nga ky grup punues, nga komisioni për legjislacion dhe iu ka jep KQZ si organ politik i cili është. Për këtë konsiderohet e papranueshme sepse nuk mundet KQZ me shqiptuar gjoba derisa esenca ka qenë me forcuar këtë zyre. Gjithashtu problem tjetër qëndron edhe rritja e donacioneve për persona fizik dhe politik është dyfishi nëse e krahasojmë me ligjin aktual që është zbatim sot dhe kjo është mund të themi negative, po ashtu problem tjetër është edhe çështja e masave ndëshkuese, masat ndëshkuese po ashtu janë zbrit nëse i krahasojmë me ligjin aktual, janë rrit donacionet e jashtme, janë zvogëluar gjobat dhe gjithashtu i janë heq kompetencat zyrës për certifikim që me pas mundësi me iu shqiptuar gjoba partive politike nëse shkelin dispozitat e këtij ligji”, deklaroi ai.

“Po ashtu është e rritja e keshit, fillimisht në draft-ligj ka qenë e paraparë deri në 50 euro me u lejuar me u dhënë kesh për partitë politike nga peronat fizik dhe juridik, e grupi punues në këtë rast komisioni për Buxhet dhe Financa e kanë rrit këta nga 50 në 500 euro. Pra nënkupton se secili person fizik dhe juridik mund të jep kesh partive politik nga 500 euro që kur të grumbullohen nga disa individë  apo nga disa biznese mund të jenë shifra shumë të mëdha që në një mënyrë ose tjetër munden me rrit riskun e lidhjes mes biznese dhe partive politike. Edhe për shkak se e zvogëlon tej mase transparencën se draft ligj ka qenë e paraparë që të publikohen raportet financiare në ëeb faqe t e tyre e grupi punues e ka ndryshuar e ka bërë që raportet me iu dorëzuar vetëm KQZ dhe mos me pas nevoje më i publiku. Esenca e ndryshimeve ligjore ka qenë që me ri obliguar partitë politike me i publiku pasqyrat e tyre financiare në mënyrë periodike në mënyrë që me pas të qartë si po financohen dhe si po i shpenzojë paratë nga buxheti i Kosovës”, ka thënë Arton Demhasaj për Indeksonline.

Demhasaj ka kërkuar që ky projektligj të tërhiqet mbrapa nga Qeveria dhe të punohet prapë.

Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, sipas Arton Demhasajt nga organizata “ Çohu”, mënyra e rregu7llimit të financimit të subjekteve politike do të shkatërrohej.

“Mënyra më e mira është që ky projektligj me u tërheq nga ana e Qeverisë, me u tërheq nga Kuvendi sepse vetëm sa shkakton dëm dhe assesi nuk e ndihmon çështjen e financimit të partive politike. Prandaj është më mirë që me iu tërheq ky ligj  edhe me u fillu me u punu prapë në këtë ligj në mënyrë që më u rikthy prapë rekomandimet që kanë ardh edhe nga shoqëria civile por njëkohësisht edhe nga komisioni i Venecias. Nëse nuk ndodh kjo, pra nëse ky ligj shkon si i tillë atëherë veç sa ka me shkatërruar  hala ma shumë çështjen e financimit të partive politik, vetëm sa ka më krijuar hale terr më të marr për çështjet e financimit të partive politike”.

Vërejtje të ngjashme për projektligjin ka edhe Isuf Zejna nga DemokraciaPlus.

Zejna në një prononcim për Indeksonline ka thënë se projektligji nga Qeveria në Kuvend është dërguar me disa ndryshime.

E të cilat, sipas tij e kanë dëmtuar shumë projektligjin e vlerësuar pozitivisht edhe nga Komisioni i Venedikut.

“Së pari Zyra e Kryeministrit ka formuar një grup punues i cili ka draftuar një projektligj i cili ka arritur standarde shumë të larta të transparencës dhe kontrollit të financave të partive politike. I njëjti është dërguar për këshillim edhe në Komisionin e Venedikut.  Pas finalizimit Zyra e Kryeministrit e ka dërguar në Kuvend me disa ndryshime të cilat nuk ishin pjesë e diskutimit në grupin punues dhe kështu ka dëmtuar frymën e ligjit”.

“Këto ndryshime kishin të bënin me të drejtën e PSD-së për të përfituar nga fondi prej 4.2 milion euro dhe janë hequr limitet e donacioneve që partitë politike mund të marrin nga bizneset dhe individët. Kjo në masë e ka dëmtuar projektligjin i cili kishte marrë komente pozitive nga Komisioni i Venedikut. Po ashtu shtimi i këtyre dy neneve ishte dëmtim i besimit të shoqërisë civile dhe grupit punues të cilët kishin punuar me shumë mund për një version më të mirë të projektligjit”, deklaroi ai për Indeksonline.

Mirëpo dëmi më i madh, thotë Zejna, është bërë nga Komisioni për Buxhet dhe Financa.

“Pas përcjelljes në Kuvend, Komisioni për Buxhet dhe Financa i ka bërë dëmin më të madh këtij projektligji, duke i shkaktuar dëme të pariparueshme. Aty është rritur shumë e parave që partitë politike guxojnë ti marrin kesh nga 50 në 500 euro, është hequr pavarësia e Zyrës për regjistrimin e partive politike dhe janë bërë shumë amendamente të cilat e kanë bërë këtë projektligj të dëmshëm nëse aprovohet në formën se si është aktualisht. Nëse ky version i projektligjit aprovohet në Kuvend, atëherë Kosova do të bënte hapa mbrapa në kontrollin dhe transparencën e partive politike, pasi projektligji aktual është më i keq sesa Ligji në fuqi”, shtoi ai.

Lidhur me ndryshimet e bëra në projektligj ka reaguar edhe Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLSP).

Përmes një komunikate për media, GLSP thotë se ndryshimet e bëra janë  në shpërputhje me pritjet që procesi i financimit të subjekteve politike të bëhet në linjë me standardet e integritetit më të lartë, qartësimit të përgjegjësive brenda KQZ-së dhe një kontrolli efektiv të shpenzimeve të partive politike. /Indeksonline/