75 Mall Live Search
07:38 / E Martë, 14 Maj 2019 / indeksADMonline

Kosovës nuk i duhet një vendim i përshpejtuar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Politologu Bardhyl Mahmuti ka thënë se Kosova nuk është vonuar për ta paditur Serbinë për gjenocidin e kryer në Kosovë.

Përkundrazi, ai ka theksuar se në kontekstin politik dhe shoqëror nëpër të cilin kalojmë çdo përshpejtim i akuzës do të kishte qenë në favor të Serbisë.

Bardhyl Mahmuti ka deklaruar se Kosovës nuk i duhet një vendim i përshpejtuar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por një vendim i drejtë që do ta ndëshkonte gjenocidin serb në Kosovë.

“Kosovës nuk i duhet një vendim i përshpejtuar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por një vendim i drejtë që do ta ndëshkonte gjenocidin serb në Kosovë. Për t’i rritur gjasat e realizimit të ngadhënjimit të drejtësisë duhet të punojmë shumë si në rrafshin ndërkombëtar, po ashtu edhe në atë të brendshëm. Në të kundërtën do të korrim rezultate negative. Me një fjalë, ai i cili do të shpejtonte të ngrihej akuza për gjenocid kundër Serbisë, në këtë kontekst të raportit të forcave në skenën politike ndërkombëtare, do të bënte një veprim antikombëtar”, tha ai për “Epoka e Re”.

Mahmuti ka hedhur poshtë deklarimet se iniciativa për një gjykatë e tillë është e vonuar.

“Nuk jemi vonuar për të bërë padinë për gjenocidin serb në Kosovë. Përkundrazi, në kontekstin politik dhe shoqëror nëpër të cilin kalojmë,çdo përshpejtim i akuzës do të kishte qenë në favor të Serbisë”

Ai ka thënë se tribunali për krimet serbe në Kosovë mund të realizohet përmes shtimit të amendamenteve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.