75 Mall Live Search
08:50 / E Mërkurë, 15 Maj 2019 / indeksADMonline

Veturat e Policisë që presin për riparim që nga viti 2016

Zyra Kombëtare e Auditimit ka vërejtur mangësi në menaxhimin e flotës së automjeteve të Policisë së Kosovës.

Sipas rregullave, servisimi dhe riparimi i automjeteve varësisht nga prishjet duhet të kryhet brenda një periudhe prej 1 deri në 3 muaj.

Mirëpo, ZKA ka vërejtur se menaxhimi me flotën e automjeteve të PK-së ku bëhet servisimi vazhdon të jetë i dobët, ku edhe në vitin 2018 ka patur vonesa të stërzgjatura në riparimin e veturave.

Sipas këtij raporti, një numër i tyre janë në pritje për riparim që nga viti 2016.

“Numri i automjeteve që presin për riparim janë: 16 automjete nga viti 2016, 35 automjete nga viti 2017 dhe 45 të vitit 2018”, thuhet në këtë raport, raporton Indeksonline.

Sipas zyrtarëve të flotës së Policisë arsyet e pritjet janë mungesa për një kohë të gjatë të kontratave për furnizim.

“ Arsyet e pritjes kaq të gjatë për riparim të automjeteve sipas zyrtarëve të flotës janë: mungesa për një kohë të gjatë e kontratave për furnizim. Shumica e automjeteve në pritje janë të prodhuesit Volksëagen ku PK nuk ka pasur kontratë për furnizim që nga 19.09.2015, pavarësisht se një kontratë ishte lidhur me 15.03.2017 dhe pas kërkesave nga personeli i flotës për furnizim me pjesë, ata nuk kishin marrë furnizimet të cilat do t’i bënin funksionale këto automjete, vjetërsia e automjeteve, numri i vogël i stafit etj”, thuhet ndër të tjerash në këtë raport,

Sipas ZKA-së, dobësitë në menaxhimin e flotës së automjeteve, reduktojnë kapacitetin operativ të PK-së për të ushtruar pa pengesë aktivitetet e përditshme.

Ndërsa, kanë rekomanduar që Ministri në bashkëpunim më Drejtorin e Përgjithshëm të PK-së duhet të bëjnë një vlerësim të gjendjes aktuale në flotën e automjeteve për të përcaktuar veprimet e nevojshme për përmirësimin e procesit të servisimit të automjete./Indeksonline/