Politikanët kosovarë nuk kursejnë vulgaritetin në publik
Politikanët në Kosovë nuk kursejnë shprehjet vulgare në gjuhën e tyre në publik, qoftë edhe në institucionin më të lartë të shtetit, në Kuvend.
Njohësit e çështjeve politike në vend, thonë
se gjuha e papërshtatshme në diskursin publik kosovar nuk është diçka e re, por
pasqyrë e kulturës dhe mungesës së ideve për zgjidhje të problemeve me të cilat
përballen qytetarët dhe vendi.
Kjo është gjuha e ashpër politike me akuza e fyerje, retorikë dhe polemikave
qoftë në mes liderëve politikë apo subjekteve rivale politike.
Politikologu Ramush Tahiri tha për Radio Kosovën se gjuha e politikanëve në
përgjithësi paraqet kulturën dhe edukatën e tyre të përgjithshme :
“Në Kosovë është edhe ideja e maskulizmit ose ideja e asaj që me u duk i
fortë dhe sa më shumë të jenë fjalët e rënda dhe më të këqija, duket se është
më mirë ose ndihet më krenar, ose ndihet më i plotësuar, sepse në atë rast
është vetvetja dhe nuk e ka për turp që atë fjalor ta përdorë në publik, dhe
nëse shokohet opinioni ky konsideron se e ka arritur qëllimin. Kjo thjesht
është një nivel i politikës, është edhe nivel i kulturës sonë, nivel i
zakonshëm për atë shtresë që sot është në politikë ” tha ai.
Edhe analisti Imer Mushkolaj tha se gjuha politike kohëve të fundit nga
politikanët në Kosovë nuk është diçka e re dhe sipas tij, kjo ndodh në situata
dhe kohë të caktuara:
“Në vend se përnjëmend këta politikanë të kenë ide e propozime konkrete se
si t’i çojnë përpara zgjidhjet për qytetarët, ata zgjedhin që të përdorin këtë
gjuhë, me akuza e kundërakuza dhe banalitete të çfarëdo lloji në mënyrë që të
tregojnë “fuqinë”, të them kushtimisht, që e kanë ndaj kundërshtarit”, tha
ai.
Zakonisht, Kuvendi është vendi ku shpërthen gjuha jo e përshtatshme,
institucion ky, që ka kodin e mirësjelljes së deputetëve. Sipas këtij kodi,
kryetari i Kuvendit kujdeset për rregull dhe mbarëvajtje të mbledhjeve në
Kuvend, nëse përdoret gjuha joparlamentare, nxitet dhunë, përdoret gjuhë e
pahijshme, ofenduese, shpifëse, kërcënuese ose fyese.