75 Mall Live Search
16:08 / E Diele, 26 Maj 2019 / indeksADMonline

Përkujtohet masakra në lagjen Tusus, familjarët kërkojnë drejtësi

Sot kur janë bërë 20 vjet nga masakra në lagjen Tusus të Prizrenit, ku janë masakruar 27 qytetarë, është kërkuar që para drejtësisë të dalin ata që kryen këtë masakër të tmerrshme.

Dy dekada më parë regjimi serb vrau dhe masakroi qytetarët e kësaj lagje të Prizrenit, ku më pastaj i vuri zjarrin mbi 250 shtëpive për të realizuar planin që njihet si “toka e djegur”.

Në akademinë përkujtimore që është mbajtur ka marrë pjesë edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i cili tha se për masakrën në lagjen Tusus ende nuk ka drejtësi, e sipas tij krimi i pandëshkuar është krim i vazhdueshëm.

“Kriminelët, të cilët e urdhëruan masakrën e Tususit dihen me emër e me mbiemër, si dhe gradat e tyre policore e ushtarake. Kroacia, një shtet po ashtu i dalë nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, e ka mundësinë ligjore për t’i gjykuar në mungesë kriminelët e luftës. Ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale në Kosovë ka ngelur vetëm të votohet në lexim të dytë, mirëpo në mënyrë absurde po e vonojnë. Pema e lirisë së Kosovës është mbjellë nga rezistencat dhe kryengritjet e popullit tonë përgjatë gjithë shekullit 20, paqësore e të armatosura, ilegale e legale. Mirëpo, kjo pemë është ujitur me gjakun e dëshmorëve dhe me djersën e punëtorëve. Pema është rritur e ka çelur, por nuk është as mirë dhe as e drejtë që lulet e pemës së lirisë të jenë për qytetarët, kurse frutat e pemës së lirisë për pushtetarët. Pra, pema e lirisë është bërë si një aromë e këndshme për popullin, të cilit i mpihen dhëm bët meqenëse s’ia japin frutat”, deklaroi ai.

Kurti tha se shteti i Kosovës u ka borxh dëshmorëve e martirëve edhe për faktin se nuk ia kërkoi asnjëherë borxhin shtetit të Serbisë.

Kurti: Shteti ynë iu ka shumë borxh dëshmorëve

Video

“Liria pa barazinë, liria me privilegje për disa e me diskriminim për shumicën, liria që nuk është liri për të gjithë, nganjëherë nuk është liri e plotë e nganjëherë as liri e vërtetë. Martirët e dëshmorët dhanë gjithçka për popullin, të cilit ende i mungon shumëçka. Askush sot, ama bash askush, nuk ka të drejtë të flasë për pajtim me Serbinë në emër të motrës së dëshmorit Selver Maqkaj, Fazile Maqkajt, e cila u dogj e gjallë brenda shtëpisë së saj e në karrocë invaliditeti. Dëshmorët e martirët, viktimat e luftës e ata që ranë për liri, nuk i kanë asgjë borxh atdheut. Kurse, shteti ynë iu ka shumë borxh atyre, edhe për shkak se nuk ia kërkoi asnjëherë borxhin shtetit të Serbisë. Sot, këtu, ka mjaft edhe dhembje edhe krenari. Ajo që duhet të kemi më shumë është: përgjegjësi”, tha Kurti.

Kryesuesi i Kuvendit komunal të Prizrenit, Artan Abrashi, tha se 27 martirët që humbën jetën 20 vjet më parë hapën rrugën që Kosova sot të gëzojë lirinë.

“Si sot 20 vjet më parë si rezultat i sukseseve të njëpasnjëshme të njësiteve të UÇK-së që zhvilloheshin pikërisht në këtë zonë filloi hakmarrja e paskrupullt dhe qyqare e makinerisë ushtarake serbe mbi banorët e kësaj lagje. Jo rastësisht kjo ndodhi në Tusus, jo rastësisht Tususi ishte përzgjedhur si lagje, si vend ku duhej të ushtrohej kjo dhunë, sepse Serbia dëshironte të jepte shembuj mbi gjithë ata të cilët e ndiqnin rrugën për çlirimin e Kosovës. Tususi ishte çerdhja e lindjes, mirëmbajtjes, organizmit dhe funksionimit të UÇK-së, fatmirësisht ende i kemi dëshmitarët e gjallë të cilët mund ta rrëfejnë këtë. Ishte bërë qëndresa e këtij populli, ishte bërë qëndresa e qytetit të Prizrenit, ishte bërë krenaria e qytetit të Prizrenit. 27 martirët, të cilët dhanë jetën e tyre, u bënë viktima të një sistemi shtypës dhe vrastar që sot neve të na hapen rrugë dhe e gëzojmë këtë liri fal gjakut dhe sakrificës së tyre”, tha Abrashi.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish Komandanti i UÇK-së, Zafir Berisha, tha se lagjja Tusus ka qenë ndër istikamet e pathyeshme të lëvizjes për lirinë e Kosovës.

“Tususi ka qenë ndër istikamet e pathyeshme të lëvizjes për lirinë e Kosovës, prijëse e shumë organizimeve në qytetin e Kosovës, fole e shumë luftëtarëve dhe veprimtarëve të çështjes kombëtare, jo veç të Prizrenit por anë e kënd Kosovës dhe natyrisht ka qenë në ballë të organizimeve të luftës për liri të Kosovës.  97 ishte momenti vendimtar që u deshtë me i thënë Serbisë boll më në Kosovë…Në ato momente dramatike për Kosovën, kur Serbia dhe aparati shtetëror i Millosheviqit u mundonte të realizonte atë platformën e saj për Kosovën si ‘tokë e djegur’, kam bashkëjetuar me disa që kanë mbijetuar masakrës dhe atyre që sot janë në botën tjetër dhe për të cilën jam shumë i bindur se ata e kanë dhënë të vetën për këtë vend, për të cilën duhet të krenohen familjet e tyre dhe ne të tjerët. Natyrisht, Serbia duke e ditur se ne jemi këtu, në pamundësi për t’u përballur me aksione të njëpasnjëshme, në shenjë hakmarrje për aksionin e 22 majit merr veprim kundër qytetarëve të pafajshëm që ishin burim edhe informacioni dhe furnizimi për ne. Por, ne natyrisht nuk e ndalëm luftën, lufta vazhdoi deri me 12 qershor dhe natyrisht me 12 qershor në mënyrë triumfale UÇK u futën në qytet me ndihmën edhe të KFOR-it”, tha Berisha.

Në emër të familjarëve ka folur Islam Thaçi, i cili ka kërkuar që emrat e kriminelëve të gdhenden nëpër procese gjyqësore.

“Është e vështirë të kthehesh 20 vjet pas, është vështirë që ne si familjar të punojmë, të jetojmë pa krimin e ndriçuar, pa drejtësi. Amaneti i këtyre  martirëve është i gdhendur dhe ju lutem ta lexoni. Ne nuk kemi shumë kërkesa, e kemi veç një kërkesë, kërkesa ime është ashtu siç kemi gdhendur emrat e më të dashurve tanë, martirëve, dëshmorëve, nëpër rrugët, sheshet, institucionet tona, që emrat e kriminelëve t’i gdhendim nëpër qelitë e burgjeve, nëpër fletë të aktakuzave dhe nëpër procese gjyqësore. Kjo është kërkesa jonë e vetme si familjarë të martirëve”, tha Thaçi.

Ndryshe, dy dekada më parë në lagjen Tusus të Prizrenit janë masakruar 27 qytetarë dhe janë djegur mbi 250 shtëpi.