Gjeti një mënyrë kreative që djali i saj t’i hante perimet!
Dikur, Laleh Mohmedi nga Melbourne i Australisë kishte një ide shumë origjinale se si ta kthente dashurinë e djalit të saj trevjeçar për karakteret e librave në dashuri për ushqimin e shëndetshëm.
Sot, recetat e saj janë të njohura në gjithë botën dhe përdoren nga shumë prindër që nuk duhet më të ‘vuajnë’ për t’i bindur fëmijët e tyre që duhet të hanë ushqime të shëndetshme. Fëmijët i hanë ato me vetdëshirë, madje edhe me shumë qejf.
Kjo grua e talentuar australiane arriti që ta transformojë krejtësisht perceptimin e djalit të saj për ushqimin.

Faqja e Laleh Mohmedi – Jacob’s Food Diaries – ka më shumë se 170,000 ndjekëse (mes tyre edhe të famshmin Jamie Oliver). Gjithçka nisi me një eksperiment të thjeshtë në kuzhinë.
Laleh vendosi të krijojë një gatim për djalin e saj Jacob që i ngjan një karakteri të filmave të animuar.

Reagimi i tij ishte aq pozitiv, sa ajo vendosi të vazhdojë.
Mohmedi postoi në Facebook një fotografi me karakterin e ngrënshëm ku edhe mori reagime të jashtëzakonshme pozitive.
“Miqtë e mi më thanë se duhet të krijojë një faqe timen në Instagram, por unë në atë kohë nuk e kisha idenë se çfarë ishin hashtag, pëlqimet dhe ndjekësit”.

Vetëm një vit më vonë, Laleh ka treguar historinë e saj për shumë revista dhe emisione televizive.
“Nuk e kam idenë se si një hobi im i vogël më ka bërë kaq të famshme. Më mrekullon dhe habit pafund një gjë e tillë, edhe sot”.

Jacob’s Food Diaries është thjesht art në pjata. Aty ka karaktere të filmave të animuar, ikona të muzikës si David Bowie dhe Michael Jackson, por ka edhe krijesa të çuditshme që janë pjesë e imagjinatës së Laleh.

Të gjitha karakteret e Mohmedi nuk duken vetëm jashtëzakonisht shumë si karakteri origjinal, por janë të krijuara krejtësisht nga ushqimet e shëndetshme.
Portreti i Helena Bonham Carter si Red Queen nga “Alice in Wonderland” ngjan shumë me karakterin arrogant dhe është krijuar nga kërpudhat, krem djathi dhe lakra e kuqe.

Laleh punon me ushqime të thjeshta dhe shumë të shëndetshme si lakra, salmoni dhe drithërat.
Ajo shpesh herë e përdor lëngun e lakrës së freskët për ta bërë ushqimin me ngjyrë të gjelbër ose përdor disa pika të uthullës së mollës për ta bërë lakrën e kuqe të ketë ngjyrë rozë.
