Ambulancat e reja specialistike ofruan 51 mijë shërbime për katër muaj
QKUK ka njoftuar se ambulancat e reja specialistike kanë ofruar më shumë se 51 mijë shërbime për pacientët, gjatë katër muajve të parë të vitit 2019.
Sipas njoftimit, numri i trajtimit të rasteve është rritur dukshëm në krahasim me vitet e kaluara, me ndërtimin e objektit të ri, një investim i bërë nga SHSKUK dhe Ministria e Shëndetësisë, i cili ofron hapësirë për operim të 36 ambulancave specialistike.
“Me një infrastrukturë moderne dhe pajisje të dorës së fundit, ambulancat specialistike japin mundësi më të mira tretmani për pacientët dhe kushte më të përshtatshme pune për stafin shëndetësor.
Instalimi i sistemit modern të menaxhimit në hapësirat e reja ka vënë rend e rregull dhe ka eliminuar tollovitë dhe mundësitë për kontrolle mjekësore pa rend, kthyer në një fenomen më herët te ambulancat e vjetra në bodrum, të cilat nuk siguronin as kushte minimale”, thuhet në komunikatë.
Tutje, QKUK ka theksuar se shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë gjatë këtij viti kanë planifikuar investime tjera në infrastrukturë e pajisje të reja. /Indeksonline/


