Stoltenberg: Shqipëria, shembull për promovimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Shqipëria po jep shembullin e saj për promovimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Stoltenberg ka realizuar një vizitë në Shqipëri, ku është takuar me drejtuesit e lartë të vendit, ndërsa në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, u fokusuan në kontributin e Shqipërisë në misionet e NATO-s, zhvillimet politike në vend dhe çështje të tjera, shkruan Anadolu Agency, transmeton Klan Kosova.
Stoltenberg u shpreh gjatë konferencës se Shqipëria që nga momenti i anëtarësimit ka qenë e angazhuar dhe një anëtare shumë e vyer e NATO-s.
“Forcat e Shqipërisë kanë shërbyer në misionin tonë në Letoni dhe dua të shpreh mirënjohjen për dy ushtarakët trima shqiptarë që humbën jetën në një aksident tragjik muajin që shkoi. Trupat tuaja kanë kontribuar për stabilitetin në Kosovë dhe në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar në misionin tonë në Afganistan. NATO është e angazhuar për sigurinë e Shqipërisë. Përmes punës së madhe, Shqipëria po jep shembullin e saj për promovimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, tha Stoltenberg.
Kreu i NATO-s, duke folur për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri theksoi se “Ajo që nuk është e pranueshme është përdorimi i çdo lloj dhune dhe çdo përpjekje për të minuar institucionet demokratike. Çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet përmes dialogut politik dhe përmes pjesëmarrjes në proceset demokratike. Zgjedhjet janë pa dyshim një pjesë themelore e procesit demokratik në shtete tona anëtare”.
Në fund, Stoltenberg theksoi se NATO do të vazhdojë me programin e investimeve në Bazën Ajrore të Kuçovës në Shqipëri siç është planifikuar, pavarësisht zhvillimeve politike.
Kryeministri Rama theksoi se vizita e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s që përkon edhe me 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë është një afirmim i vëmendjes dhe kujdesit ndaj Shqipërisë dhe ndaj rajonit.
“Kemi diskutuar për aspektet e bashkëpunimit dhe kontributeve tona brenda NATO-s. Më vjen mirë se kemi ndarë përshtypjen se forcat tona të armatosura kudo ku kanë kontribuar kanë shfaqur cilësi të spikatura profesionale. Nga ana tjetër kemi diskutuar edhe për ecurinë e procesit të plotësimit të një kushti themelor për të gjithë vendet anëtare të NATO-s, për kontributin buxhetor për mbrojtjen. Nuk është sekret që qasja e Rusisë ndaj NATO-s, ndaj BE, ndaj proceseve integruese nuk është një qasje miqësore”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se “Kemi diskutuar edhe për këtë moment të veçantë politik dhe shoqëror që po kalon vendi ynë, qoftë në aspektin e marrjes së rekomandimit të fuqishëm pozitiv pa kushte nga Komisioni për çeljen e negociatave, qoftë në aspektin e konfliktit politik që nuk i shërben vendit dhe nuk i shërben procesit të mëtejshëm të vlerësimit të Shqipërisë në raport me rekomandimin pozitiv”.
Rama në lidhje me zhvillimet politike në Shqipëri tha se “Dua të nënvizoj faktin se në asnjë vend të NATO-s nuk ka ndodhur çfarë po ndodh këtu. Patjetër që diçka e tillë nuk shkon në favor të vendit, nuk përputhet me interesat, vlerat dhe parimet as të NATO-s dhe as të BE-së”.
Stoltenberg është takuar edhe me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta dhe ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.
Pas përfundimit të vizitës në Shqipëri, sekretari i përgjithshëm i NATO-s do të fillojë vizitën zyrtare dyditore në Maqedoninë e Veriut.