Brenda mureve ku mësohet si të fluturosh!
Valdrin Krasniqi
18 pajisje simulimi të vendosura në një objekt gjigant në Qendrën e Trajnimit të Fluturimit në Florya të Stambollit, janë çdo herë në dispozicion të kadetëve të rinj që synojnë të bëhen pilot të kompanisë “Turkish Airlines”.
Trajnimi i pilotëve i drejtuar nga ekspertët më të mirë, tregon rëndësinë dhe përkushtimin e kompanisë për të qenë lider në fushën e aviacionit.
Qendra më e madhe e trajnimit të fluturimit në Evropë dhe Lindjen e Mesme është e hapur për rreth 10 mijë persona që janë të angazhuar në ekuipazhin e kabinës së “Turkish Airlines” dhe për rreth 4 mijë e 500 pilotë që kanë të veshur uniformen e kësaj kompanie.
Të ndara në salla të ndryshme të qendrës, organizohet çdo ditë trajnimi i grupeve të pilotëve dhe atyre të ekuipazhit. Derisa këta të fundit mësojnë se si duhet të evakuohen pasagjerët në rast të ndonjë fatkeqësie në aeroplan, pilotët trajnohen që të kryejnë një fluturim sa më të sigurt dhe pa pengesa.

Mesut Alan, kapiteni që trajnon pilotët e “Turkish Airlines” ka treguar për Indeksonline gjithë procedurën nga fillimi deri në kohen kur një pilot është i gatshëm përfundimisht të marr në duar timonin e vërtetë të një aeroplani.
“Kur ata e përfundojnë me sukses provimin e terrenit, e kanë shansin për t’iu nënshtruar pjesë së fluturimit e cila duket shumë reale dhe kanë shansin të marrin përvojën më të mirë reale. Në këtë pjesë, bazuar të nevojat e tyre, ne aranzhojmë një program për ta sepse nevojat e gjithsecilit janë të ndryshme dhe programet janë më të shkurtra për disa. Normalisht, janë më shumë se 10 sesione fluturimesh të përfshira në trajnim dhe pas përfundimit të trajnimit është pjesa tjetër e trajnimit ku ata mësojnë rregullat e kompanisë sonë në fusha specifike që përfshijnë 5-6 sektorë për ta dhe në total janë 16 sektorë gjithsejtë”, ka thënë kapiteni Alan.

Sipas tij, nuk ka ndonjë kohë të përcaktuar të përfundimit të trajnimeve pasi që kjo varet nga rregullat e eksperiencës dhe përgatitja sa më e mire e tyre.
“Ata duhet të përgatiten për shumë provime dhe kjo merr kohë kështu që nuk mund të flasim për një kohë specifike sepse e tëra varet nga rregullat e eksperiencës së më hershme të pilotit”, ka thënë ai.
Kapiteni Mesut Alan ka folur edhe për bashkëpunimin me shtetet dhe kompanitë tjera që sjellin pilotë për të punuar për Turkish Airlines.
“Në fakt, ne zbatojmë disa rregulla të Agjencisë Evropiane të Sigurisë së Aviacionit të adaptuara nga autoriteti turk i aviacionit civil dhe janë të gjitha të shkruara në libër me detaje të thukëta sa i përket kohëzgjatjes, eksperiencës dhe ne vendosim në përputhje me ato rregulla”, ka deklaruar ai për Indeksonline.

Gjiganti Turkish Airlines në mesin e pilotëve ka edhe femra të cilat trajnohen njësoi dhe nuk ka ndonjë diferencë mes gjinive.
“Nuk e di numrin e saktë të piloteve femra në kompani, sepse kemi vazhdimisht lëvizje dhe pilotë të rinj që i bashkohen kompanisë, më shumë se 4 mijë pilotë përafërsisht por çka mund të them është se ne i trajnojmë edhe femrat për pilotë dhe nuk ka ndonjë diferencë në mes të pilotëve meshkuj dhe femra, ne i trajnojmë njësoj. Nuk ka specifika të ndryshme për femra dhe ne i trajnojmë njësoj”, ka pohuar profesori i pilotëve, Alan.
Kurse i pyetur për sigurinë gjatë fluturimit, ai ka thënë se në kompaninë e tij ka zero tolerancë sa i përket rregullave të sigurisë dhe siguria është top prioritet i tyre.
“Kur siguria vihet në rrezik, ne ose nuk fluturojmë fare ose shkurtojmë distancën ose aterojmë në ndonjë distancë më të shkurtër se koha e planifikuar e fluturimit”, ka thënë ai.

“Ylli në rritje” i Turqisë, Turkish Airlines, filloi udhëtimin e tij në vitin 1933 me pesë aeroplanë ndërsa sot krenohet me një flotë prej 336 avionësh gjithsejtë dhe vazhdon atë udhëtim me të njëjtën qëllim. Me shifrat e rritjes që e vendosën kompaninë në mesin e linjave kryesore ajrore në botë, Turkish Airlines, me një vendim të rëndësishëm në vitin 2013, bëri blerjen më të madhe të aeroplanit në historinë e Aviacionit Civil të Turqisë.
Në vitet e ardhshme, ofruesi i standardeve Turkish Airlines synon të vazhdojë rritjen e saj në krye të tabelës në cilësinë e shërbimit duke ruajtur mesataren e moshës së flotës. Duke marrë parasysh urdhrat e avionëve në shkallë të gjerë dhe avionët që duhet të jepen me qira dhe qiramarrjet që do të skadojnë, numri i përgjithshëm i avionëve pritet të jetë rreth 500 në fund të vitit 2023, duke përfshirë avionë mallrash në flotën turke.

Turkish Airlines, duke hapur më shumë porta ndërkombëtare në të gjithë botën për pasagjerët e saj se çdo linjë ajrore tjetër, aktualisht ofron një gamë të gjerë të fluturimeve në 304 destinacione në 122 vende./Indeksonline/