75 Mall Live Search
18:42 / E Enjte, 06 Qershor 2019 / indeksADMonline

Këngëtarët shqiptarë që sfiduan ngrohjen globale dhe sollën verën

Muaji maj dhe fillimi i muajit qershor na krijuan bindjen se në fakt, po hynim në stinën e vjeshtës apo të dimrit dhe jo në stinën më të ngrohtë vitit.

Në Kosovë reshjet qenë të shumta dhe u shoqëruan me shtrëngata, ndërkohë në Shqipëri, moti vazhdoi të qëndronte kapriçoz duke sjellë herë shi dhe herë diell për plazh.

Ama, të gjitha këto janë pasojat e fenomenit tashmë gjerësisht të njohur, Ngrohjes Globale.

Edhe pse nën shi dhe temperatura të ulëta, disa prej artistëve shqiptarë vendosën të sfidojnë motin dhe të sjellin verën me projektet e tyre.

– Enca ft. Muharrem Ahmeti – Hajde

E para që vendosi të mos presë rritjen e temperaturave dhe çeljen e sezonit të verës (de facto) ishte Enca me Muharrem Ahmetin, të cilët në fillim mund të dukej një kombinim paksa i pabesueshëm, por që rezultuan si minë me sahat.

Dhe “bomba” plasi në 17 maj duke sjellë “Hajde”, një këngë e zhanerit tallava modern, ku duken edhe influencat arabe në të.

– Geasy/Majk/Onat – Vamos

Më pas, erdhën djemtë e Babastars (apo nuk duhet t’i quajmë më kështu?) që sollën këngën e tyre të parë bashkë për këtë vit dhe ishte i gjithi veror, me ritme dhe ndryshe nga “HIGH 1/2/3/4” nuk do të kemi më ndikime trap tek çunat.

Nëse prisni ndonjë temë ndryshe te djemtë gaboheni, sepse sërish dëgjuam për para, ferrari, konkurrencë e të tjera gjëra si këto. Edhe këtë herë Getoari nuk e shkurtoi mjekrën, por për sa kohë kënga ishte “In”, kjo nuk ka rëndësi!

– Fifi – Oj Zogo

E nëse reperat nuk ju sollën mjaftueshëm ritme verore, dy ditë më pas, Fifi solli “Oj Zogo” një ripërpunim i këngës së njohur të kënduar nga Nazmie Hoxha. Sigurisht, e vetmja pjesë e këngës e ripërpunuar është refreni pasi teksti është i sjellë nga Fifi. Tashmë, “Oj Zogo” vjen një kombimin i repit, i muzikës popullore dhe asaj pop.

Një kombinim, i cili nëse luhet me volum të lartë… nuk ka rëndësi çfarë stuhie bie, ju do të jeni duke kërcyer me sy mbyllur.

– Ronela ft Don Phenom – Çohu

Fillimisht, Ronela lajmëroi se në fillim të muajit qershor do të sillte një këngë e më pas përgjatë muajit do të na furnizonte vazhdimisht me këngë për të vazhduar më pas me 4 këngë të reja deri në fund të vitit.

Bashkëpunimi i saj i parë me Don Phenom do vinte në 1 qershor, “Dilema”, për të vazhduar menjëherë më pas menjë këngë surprizë akoma më ritmike “Çohu”.

Më tepër se një këngë vere, “Çohu” do të qe një këngë himn për të gjithë vajzat e djemtë “e këqinjë” që do ta shoqërojë për ditë më rradhë… edhe në ditët e nxehta që erdhën.

– Ledri – Rio

Meqë, tashmë që prej publikimit të këngëve të mësipërme temperaturat filluan të rriteshin dalëngadalë dhe vera po na dukej në horizont, Ledri erdhi dhe thjesht tha: “Meqë doni verë, unë po ju sjell verën e Rio de Janeiro-s!”.

Dhe në fakt, ashtu bëri.

“Rio” është një këngë mjaft ritmike, në të cilën mund të dallohen fare qartë edhe influencat e muzikës braziliane dhe në klip, shoqërohet nga mjaft balerina braziliane si dhe modelja e njohur, Lorena Haliti.

Një pyetje: A mjafton kaq për të prerë menjëherë biletën për pushime?!

– Young Zerka ft Anila Mimani – Nesër

I fundit, por jo nga rëndësia po nga data publikimit – Young Zerka solli ditën e mërkurë këngën e tij më të re, “Nesër” me një bashkëpuntore, për të cilën na kishte marrë malli.

Bëhet fjalë për Anila Mimani, apo e cilësuar një prej zërave më të veçantë shqiptarë për shkak të natyrës indiane të vokalit të saj.

Edhe këtu, ritmet verore janë të pranishme në çdo akord dhe në çdo pjesë të këngës dhe prania e Anilës në refren e bën këngën akoma më interesante.

Nëse kishit mëdyshje, tashmë që hitet e para të verës mbërritën për rreth 1 javë, e deklarojmë stinën e verës zyrtarisht të hapur!