75 Mall Live Search
14:45 / E Shtunë, 08 Qershor 2019 / indeksADMonline

Lojërat e fatit zhvillohen afër pompës së benzinës, detaje të tjera nga aksioni i Policisë

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndalimin e veprimtarisë së lojërave të fatit për 10 vite nuk i ka bindur disa pronarë të lokaleve që e zhvillojnë këtë biznes.

Përkundër kësaj, veprimtaria e tyre e jashtëligjshme është ndërprerë pas një aksioni të Policisë së Kosovës në disa komuna, fokusuar në atë të Podujevës.

Biznesi me lojërat e fatit është zhvilluar në një nga objektet përcjellëse të një pompe benzine në fshatin Sekiraq të Podujevës.

Nga aty, janë arrestuar tre persona e të cilët me urdhër të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.

Prej tyre, njëri pronari i lokalit, njëra punëtore si dhe një klientë.

Gjatë kontrollit nga inspektorët është konstatuar se biznesi dhe aparatet e lojërave kanë qenë të pa licencuara, ku nga ta janë konfiskuar 11 aparate të lojërave të fatit, ndërsa nga njësit policore janë konfiskuar 6.654 (gjashtë mijë e gjashtë qind e pesëdhjetë e katër) euro.

Më poshtë gjeni detaje nga aksioni i djeshëm i Policisë në Podujevë:

Me datë 06.06.2019 në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, konkretisht në Njësinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, është pranuar një informatë, sipas së cilës në fshatin Sekiraq, komuna e Podujevës, konkretisht në lokacionin “njëri nga objektet përcjellëse te pompës së derr5ivateve ALB-Petrol, janë duke u organizuar dhe duke punuar lojëra të fatit të cilat janë ndaluar të operojnë në vendin tonë me vendim të Qeverisë së Kosovës dhe sipas informatës dhe informatorit që kemi pas në kontakt, në lokacionin e njëjtë që një kohë të gjatë operojnë lojërat e tilla të cilat janë të pa licencuara dhe në kundërshtim me ligjet e aplikueshme në vendin tonë.

Pas pranimit të informatës në fjalë dhe analizimit, është verifikuar lokacioni me ç’rast në koordinim me Inspektoratin e ATK-së dhe Doganën e Kosovës si dhe të përkrahur nga Njësiti ROSU të PK-së, sot me datën 7 qershor 2019, rreth orës 17:30, kemi organizuar një kontroll të përbashkët në lokacionin e lartcekur.

Gjatë realizimit të operacionit për kontrollimin e lokacionit sipas informatës, kemi hasur në lokalin e hapur, në të cilin kanë qenë prezent dy persona, njëri është prezantuar si punëtor në këtë lokal, ndërsa tjetri si lojtar dhe po ashtu në lokal kemi hasur gjithsej 11 aparate për lojëra fatit të gjitha të ndezura dhe të gatshme për lojë.

Vlen të ceket se gjatë realizimit të kontrollit, nga Inspektorët e ATK-ë është konstatuar se biznesi  dhe aparatet në fjalë janë të pa licencuara dhe të njëjtit kanë qenë duke punuar në kundërshtim me ligjet e aplikueshme në vendin tonë dhe të njëjtit (11 aparate) janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës, ndërsa në brendi të aparateve dhe në kuletën e lokalit që ishte në posedim të punëtorit janë hasur dhe sekuestruar para të gatshme në vlerë prej 6 mijë e 654 euro të cilat dyshohen se janë të fituara në mënyrë të kundërligjshme nga vepra penale që dyshohet se e kanë kryer të njëjtit.

Pas intervistimit të dy të dyshuarve F.B (punëtor në kazino), L.B(punëtore në kazino e ftuar përmes telefonit në zyrat e NjHRKEK-Prishtinë) dhe I.S (lojtar i hasur në kazino), Prokurori kujdestar Nebahate Salihu, ka lëshuar Aktvendim mbi ndalimin për 48 orë për personat e arrestuar për veprën penale “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, neni294, par.2, i KPK-së.

Të dyshuarit dërgohen në ndalim për 48 orë.