Obsesioni i adoleshentëve me këngëtarët – Pse ndodhë kjo?
Artistët dhe sportistët dita e ditës po krijojnë ndikim të madh tek fëmijët.
Këtë mund ta vërejmë në rrjete sociale, ku adoleshentet hapin faqe me emra e idhujve të tyre.
Po ashtu në komente mund të shohim se si thurin lavde për artistët e ndryshëm. “Ti je ylli im”, “Pa ty nuk mund të jetoj” etj. janë disa nga komentet që mund t’i gjejmë tek fotografitë e këngëtarëve të ndryshëm.

Ky ndikim i artistëve, pa dëshirën dhe dijeninë e tyre, po krijon efekte negative tek fëmijët.
Rreth kësaj çështje, Indeksonline kontaktoi me psikologen e njohur, Etleva Durmishi.
Ajo beson që moshat e reja janë shumë të ndikuar nga trendet e kohës si muzika filmi apo moda.
“Sigurisht, çdo personalitet dhe çdo formë krijimtarie që prezantohet publikisht në vazhdimësi, synon të ndërtojë një raport të caktuar me njerëzit dhe t’i ndikojë ata. E në këtë rrugë ne arrijmë të shohim inspirim por edhe efekte negative. Përgjithësisht, moshat e reja janë shumë të ndikuara nga trendet e kohës në muzikë, film, modë apo kudo tjetër, andaj edhe krijuesit apo personalitetet e famshme të këtyre sferave ja dalin të fitojnë vëmendjen maksimale të të rinjve. Më të prirur për t’u lidhur më shumë emocionalisht me një person të famshëm janë grupet e të rinjve që janë ende moshe e re e në zhvillim e sipër. Më saktësisht, këta të rinj janë ende në proces të formimit të identitetit të tyre dhe qartësimit të shijes, stilit dhe preferencave që kanë. “, tha fillimisht ajo.

Tutje psikologia e njohur shtoi se sensi i tyre mbi realitetin është ende i mjegullt.
“Nëse flasim për këngëtare apo aktorë, ata njëjtë ndikohen lehtë nga ato tekste apo përmbajtje që janë të afërta me mesazhet që ata vet duan të përcjellin në shoqëri.”
“Poashtu, duke qenë se janë në formim e sipër, sensi i tyre mbi realitetin dhe karakteret është ende i mjegullt, prandaj edhe si rezultat, shpesh mund të lidhen shumë me personat e famshëm të cilët prezantojnë një autoritet apo mbizotërim më të dukshëm ndaj të tjerëve, apo të tillëve që dijnë të prezantojnë një realitet paksa utopik në terma të karakterit, pasurive, veshjes dhe autoritetit “pathyeshëm”. Por në anën tjetër, niveli i emocionalitetit ndaj figurave të famshme nuk është treguesi i duhur i këtij fenomeni.”

“Që të dish nëse të rinjtë po e projektojnë veten e tyre imagjinare tek artistët apo nëse vërtetë janë inspiruar prej tyre në mënyrë të shëndoshë dhe efikase duhet parë se sa arrijnë të interpretojnë atë që u pëlqen tek artistët, sa ndihen të inspirtuar në një nivel më të thellë botëkuptimi nga përmbajtja që kanë prezantuar artistët dhe sa arrijnë ta elaborojnë atë në një nivel më të lartë sesa emocioni i përkohshëm apo dukja.”, u shprehë Durmishi.
Në fund, psikologia Durmishi dha disa këshilla për prindërit rreth këtij fenomeni.

“Prindërit sigurisht se duhet të jenë bashkëbisedues të vazhdueshëm me fëmijët mbi mënyrën se si këta të fundit e marrin dhe procesojnë përmbajtjen apo modelin e ofruar nga personat e famshëm, por në anën tjetër, për filtrimin e përmbajtjes dhe ndikimit ka rol edhe e gjithë shoqëria, në mënyra të ndryshme.”, përfundoj ajo./Indeksonline/