Fajon: Bashkimi Evropian t’i mbajë premtimet
Eurodeputetja Tanja Fajon ka deklaruar se nuk ka asnjë arsye që të mos i jepet drita jeshila hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Përmes një shkrimi në Twitter Fajon ka thënë se Këshilli i Ministrave duhet t’i përmbushë premtimet e dhëna.
Ajo theksoi se drafti i fundit për konkluzat për dy vendet ballkanike “dëshmon se ekziston një mungesë serioze e politikës së lirë nga ana e shteteve anëtare”.

Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian sot pritet të dalë vetëm me një deklaratë sa i përket rëndësisë strategjike të integrimit të Ballkanit Perëndimorë, mirëpo jo edhe datë përfundimtare për hapjen e negociatave.
Drafti i fundit i vendimit për zgjerim – ende i diskutueshëm – për të cilin shkruan Reuters, do të shtyjë çdo vendim mbi Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë deri në tetor dhe pasi parlamenti gjerman të shqyrtojë çështjen.
Ndryshe konferenca për shtyp pas sesionit të sotëm pritet të mbahet me fillim nga ora 17:00.