Kosova bëhet sherr i ‘luftës’ mes Malit të Zi dhe Serbisë
Ndikimi i Serbisë te Kombëtarja e Malit të Zi është mjaft i madh.
Kjo u vërejt edhe në ndeshjen e fundit ku trajneri Ljubisa Tumbakoviq dhe dy futbollistët Mirko Ivaniq dhe Filip Stojkoviq nuk pranuan të luanin kundër Kosovës.
Federata e Futbollit të Malit të Zi vendosi ta shkarkonte serbin Tumbakoviq, por kjo nuk është e tëra.
Presidenti i Federatës, Dejan Saviceviq ka nisur një luftë të hapur me skuadrën e Crvena Zvezdas, e cila sipas Saviceviq kishte bërë presion të dy futbollistët serbë që ta bojkotojnë ndeshjen me Kosovën.
Mirëpo drejtori i përgjithshëm i Crvena Zvezdës, Zvezdan Terziq i ka mohuar këto pretendime.
“Unë thashë para disa ditëve dhe politika dhe sporti nuk duhet të përzihet dhe vendimi i dy lojtarëve të Crvena Zvezdas për të mos luajtur kundër Kosovës është vendimi i tyre personal”, ka thënë Terziq.
“Lojtarët e Crvena Zvezdas nuk refuzuan të luajnë për Malin e Zi, që është krenaria dhe kënaqësia e tyre, por refuzuan kundër të së ashtuquajturës Kosovës, pasi që nuk donin të qëndronin para himnit dhe flamurit të shtetit jo-ekzistues të Kosovës”.
“Savicevic e mësoi menjëherë në short se do të luante kundër Kosovës dhe e dinte se e kishte trajnerin dhe pesë lojtarë nga Serbia. Atëherë, si president i përgjegjshëm dhe i mençur, ai duhet t’i pyesë ata: “A keni problem, si qytetas të Serbisë, me Kosovën?”.
“Pse nuk e bëri këtë gjë mbetet problem për të. Nuk e kuptoj çmendurinë e Savicevicit dhe faktin që ai e përmend emrin tim, të tifozëve të Crvena Zvezdas, shërbimeve dhe autoriteteve të ndryshme në Serbi sepse gjithçka që ai thotë është gënjeshtër” përfundoi Terziq.
Ndryshe, Federata e Futbollit të Serbisë pritet së shpejti të emëroj trajner Ljubisha Tumbakoviqin, i cili refuzoi të drejtonte Malin e Zi në ndeshjen me Kosovën. /Indeksonline/