Vaki kosovare, futbollisti që ka kontratë valide me Vëllaznimin prezantohet zyrtarisht te Prishtina
Tun Bardhoku është futbollisti më i ri i Prishtinës. Mbrojtësi është transferuar nga Vëllaznimi të hënën, ndërsa ekipi nga kryeqyteti e bëri prezantimin e tij sot.
Në mëngjesin e së martës, ka reaguar Vëllaznimi duke thënë se Bardhoku ka kontratë valide me gjakovarët dhe kanë shprehur habinë me zyrtarët e Prishtinës që kanë komunikuar me 25 vjeçarin, duke mos e njoftuar Vëllaznimin.
Ky është njoftimi i Prishtinës për transferimin e Tun Bardhokut.
Tun Bardhoku zyrtarisht në Prishtinë
25 vjeçari luan në disa pozita mbrojtësePrishtinë, 18 qershor 2019 – Mbrëmë vonë është arritur akordi ndërmjet Prishtinës dhe futbollistit të Vëllaznimit, Tun Bardhoku.
Bardhoku, 25 vjeç, i lindur më 12.09.1993 në Gjakovë, luan pothuajse në të gjitha pozitat mbrojtëse, por së fundi ka spikatur si mbrojtës i majtë dhe shquhet edhe me golat e asistimet e tij nga krahu i majtë, ndërsa sivjet ka shënuar 3 herë për kuqezinjtë.“Thjesht zgjodha Prishtinën për arsye se është ndër klubet më të vjetra dhe më e trofeshmja në vend dhe është kënaqësi e madhe që një klub si Prishtina të më ofroj që t’i shërbej asaj me cilësitë e mia”.
“Po ashtu ishte edhe zgjidhje e vështirë, sepse kisha edhe një ofertë të mirë jashtë vendit dhe ndërmjet dy opsioneve, megjithatë zgjodha të mbroj ngjyrat e Prishtinës”.
“Normalisht, asnjë lojtar nuk vije pa pak frikë, Prishtina është klub i madh, ka ekip mjaft cilësor, ka shumë konkurrencë, por unë kam besim se do të përballoj konkurrencën. Përndryshe pres, nuk e them vetëm me fjalë, por e besoj që mund ta rikthejmë titullin e kampionit, sepse me lojtarët që jemi dhe me punën që bëhet të jep shumë shpresë”, ka thënë Tun Bardhoku.