75 Mall Live Search
15:05 / E Martë, 18 Qershor 2019 / indeksADMonline

Trendi i ri i këngëtarëve shqiptarë: A duhet të vazhdojnë më “remake”-t?

Nuk e dimë kush e solli i pari trendin e remakeve të këngëve të vjetra shqiptare, por lëvduar qoftë!

Të jemi të sinqertë, muzika shqiptare ka pasur vend për të gjithë llojet e muzikantëve, që nga ato mediokër, të patalentuar dhe si flluska sapuni e deri tek ata që kanë lënë gjurmë e vazhdojnë të lënë akoma në muzikën tonë.

Kështu, hitet cilësore dhe që i rezistojnë kohës, nuk kanë munguar kurrë.

Pyetja që ka vërshuar me shumë siguri në kokën e të gjithë atyre që kanë dëgjuar këngët e reja… që në fakt janë të vjetra, është “A duhet të bëjnë më remake këngëtarët shqiptarë?”.

Fundja, remake është diçka e lehtë krahasuar me një krijim tërësisht origjinal dhe që vjen si rezultat i frymëzimit të artistit. Pra, është më e lehtë të bësh një remake, pasi baza muzikore është e gatshme, ndërkohë që në krijimin orgjinal gjithçka niset nga 0.

Në fakt, këngët që po risjellin artistët shqiptarë janë ndoshta fenomeni apo trendi më i mirë që kemi parë së fundmi.

Mjaft këngë që ndoshta ishin harruar apo nuk mund të gjendeshin në YouTube apo në site të tjera online tashmë mund t’i dëgjojmë në një version modern… dhe mund t’i kërcëjmë lirisht nëpër clube apo festa.

Ndoshta do ta ekzagjeroja nëse do thoja që artistët e remakun po i bëjnë një nder muzikës sonë, pasi nuk po lejojnë që muzika e mirë të mbytet nga dixhitalizimi dhe të harrohet nga brezat e rinj e ata që do vijnë më pas. Ia vlen këtu të përmendim “Baresha” e risjellë nga dj Abel, e cila luhen në çdo club, në çdo fundjavë, në Kosovë dhe Shqipëri e më gjerë. Kush vallë do ta luante masivisht “Bareshën” në versionin e vjetër të sajin?

Sigurisht, ka nga ato remake që nuk ia kanë dalë misionit me sukses dhe nuk kanë mundur të rivitalizojnë këngën, por në shumicën e rasteve misioni është përmbushur me sukses.

E duke qenë se jemi në ujërat e remake-ve, po ju sjell disa prej remake-ve të mia të preferuara (të cilat me siguri do ua luaj dhe fëmijëve të mi si ninulla!).Bujar Qamili ft. Luana Vjollca – M’i dhe flakë mallit tim.

1.Ermal Fejzullahu ft. Ledri Vula – Fshatarja ime

2. Fifi – Oj Zogo

3. Mc Kresha – Era

4. Dhurata Dora ft. Lumi B – Simpatia

5. Bujar Qamili ft. Luana Vjollca – M’i dhe flakë mallit tim

*me siguri version i ri i “Kanagjegjit” të Adelina Ismajlit dhe Rinës do të jetë pjesë e listës, por deri atëherë lista qëndron kështu!