Protestë para Kuvendit kundër Projektligjit për financim të subjekteve politike
Organizatat e shoqërisë civile kanë bërë të ditur se sot do
të organizojnë protestën e shoqërisë civile në kundërshtim të Projektligjit për
financim të subjekteve politike.
Protesta do të zhvillohet në të njëjtën kohë, kur mbahet takimi i radhës
i Grupit Këshillëdhënës për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor,
nga i cili ShC-ja ka pezulluar pjesëmarrjen.
Organizatat e shoqërisë civile vlerësojnë, së Projektligji për financim të
subjekteve politike është në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe reformën
zgjedhore të iniciuar nga Kuvendi i Kosovës.
Projektligji sipas tyre degradon parimet kryesore të jetës politike duke
rrezikuar integritetin e tërë procesit të reformës zgjedhore, përfshirë edhe
cenimin e pavarësisë së Zyrës për Regjistrimin e Subjekteve Politike.
Projektligji aktual sipas tyre dështon në adresimin e prioriteteve të Agjendës
për Reforma Evropiane (ERA) për transparencë, llogaridhënie, zbatim dhe
sanksionim efikas në financimin e partive politike, duke u mundësuar subjekteve
politike të fshehin identitetin e kontribuesve financiarë të tyre, duke ngritur
shumëfish lartësitë e këtyre kontributeve, duke ua zgjatur afatet për
publikimin e raporteve financiare të fushatës dhe duke i zvogëluar gjobat, në
rastet kur partitë e shkelin ligjin.
Meqenëse Projektligji për Financimin e Subjekteve Politike nuk mund të shihet
si pjesë e ndarë e Reformës Zgjedhore, dhe i njëjti sipas shoqërisë civile
rrezikon këtë proces, ata kanë ka kërkuar që projektligji të tërhiqet apo të
mos votohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Protesta mbahet në ora 10:00 para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.