Muja: Serbia nuk po na pëlqen, por njohja e saj është bërë e nevojshme
Njohës i çështjeve evropiane, Armend Muja, ka thënë se nuk është se Serbia po i pëlqen dikujt në Kosovë, por njohja e saj është bërë e nevojshme.
Ai këtë komente i ka bërë në emisionin Zona B në Klan Kosova, duke shtuar se është bërë e qartë se nevojitet normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi në mënyrë që të vazhdohet tutje.
“Nuk është populli, por është elita jonë politike që nuk po din se si të reagojë karshi kësaj situate. Politikanët po janë shumë të zëshëm rreth asaj se çfarë nuk duhet bërë; mirëpo në të njëjtën kohë ata nuk po janë në gjendje të tregojnë se çfarë duhet bërë”.
“E para e ke nivelin ndërkombëtar – ata nuk kanë asnjë pajtim mes vete (Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia). Për të arritur një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë nevojitet një pajtim ndërmjet aktorëve të mëdhenj. Faktori i dytë janë raportet midis Kosovës dhe Serbisë. As këtu nuk ka ndonjë pajtueshmëri. Faktori i tretë është konsensusi brenda Kosovës. Ne vetëm pajtohemi që të diskutojmë dhe që të vazhdojë dialogu”.
“Ajo çka po e bën jashtëzakonisht të vështirë normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në fjalë është fakti që brenda Shteteve të Bashkuara ka njëfarë zbehje të interesimit. Gjithashtu edhe brenda Bashkimit Europian rreth heqjes së regjimit të vizave për Kosovën nuk ka pajtueshmëri”.
“Projektet politike shpesh herë e arrijnë një konsensus brenda vet politikës. Aty ku ne duhet pajtohemi është që të diskutojmë lirshëm dhe ta kuptojmë situatën reale në të cilën ndodhemi. Nuk është se Serbia po i pëlqen dikujt por njohja e saj është bërë e nevojshme. Në e dimë se po na duhet normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi në mënyrë që të ecim drejt Bashkimit Europian”.
Muja ka thënë se ajo çfarë po e bënë më të vështirë normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është fakti se nuk ka pajtueshmëri as në nivel lokal e as në atë ndërkombëtar.
“Ajo çka është e rëndësishme është fakti se Amerika mbetet faktori më i pëlqyer në Kosovë. Ndërsa Bashkimi Europian është duke vepruar njësoj si ne. Ata e dinë se çfarë nuk po dëshirojmë, por nuk po e dinë se çfarë po dëshirojmë. Tashmë ndodhemi në një situatë ku nuk po dihet se kush është ndërmjetësues i dialogut. Kancelarja gjermane Angela Merkel ka një ndikim të madh brenda BE-së; mirëpo tani atë e shoh si një figurë në perëndim e sipër”.
“Ndërsa brenda Shteteve të Bashkuara ka pak vullnet në këtë drejtim dhe vullneti i tyre do të vazhdojë zbehet sepse ata së shpejti do t’i fillojnë përgatitjet për zgjedhjet presidenciale. Gjithashtu edhe brenda Bashkimit Europian nuk e kanë të qartë se ku duhet të fokusohemi. Një prej treguesve kryesorë është fakti që ata nuk po janë në gjendje të na japin një përgjigje të qartë për liberalizimin e vizave”.
“Në momentin kur nuk gjendet një zgjidhje, pritja është gjithmonë një opsion. Në mesin e gjithë këtyre paqartësive, duket se nuk do të ketë një qasje aktive të aktorëve të mëdhenj në këtë proces deri në vitin 2021”.
Sipas Mujës, Serbia qëndron më mirë në krahasim me Kosovën.
“Në situatën më të paqartë ndodhet Kosova sepse nuk mund të integrohesh në Bashkimin Europian pa na njohur pesë vendet që nuk na kanë njohur. Mos të harrojmë se qe 20 vjet ndodhemi në këtë situatë; prandaj vërehen lëvizjet ekstreme siç është ikja e të rinjve”.