Policia zero tolerancë ndaj kundërvajtësve, i shqipton gjobë edhe veturës zyrtare
Keqpërdorimi i veturave zyrtare në Kosovë ndodh çdo ditë në mënyra nga më të ndryshmet.
Ato përdoren për udhëtime jozyrtare jashtë vendit, për bartjen e gjërave personale, e shumë shpesh edhe thyhen rregullat e komunikacionit nga ngasësit e tyre.
Një rast i shkeljes së tillë ka ndodhur sot në Prishtinë, përkatësisht në rrugën ‘Garibaldi’.
Lexues të portalit Indeksonline kanë dërguar fotografi të një veture zyrtare e cila është parkuar në trotuar, duke penguar qarkullimin e këmbësorëve.
Kjo shkelje nuk kaloi pa u vërejtur nga Policia e Kosovës, e cila e ndaloi shoferin, duke i shqiptuar gjobë.
Ky veprim i policisë së Kosovës është për t’u përshëndetur, pasi me këtë tregoi se ligji është i njëjtë për të gjithë, dhe nuk bëjnë përjashtim as personat zyrtarë. /Indeksonline/


