75 Mall Live Search
16:44 / E Diele, 30 Qershor 2019 / indeksADMonline

Merkel: Shembulli pozitiv i Maqedonisë dhe Greqisë duhet të jetë inkurajim edhe për Kosovën dhe Serbinë

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka një perspektivë evropiane, por që ende ka shumë kushte të cilat duhet përmbushur.

“Shumë shtetas gjermanë kanë marrëdhënie personale me njerëzit nga Ballkani Perëndimor, shumë njerëz nga Ballkani Perëndimor jetojnë në Gjermani dhe përfaqësojnë një urë lidhëse midis atyre vendeve. Qytetarët e këtij rajoni janë fqinjët tanë dhe perspektiva e tyre është të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, nëse ata i plotësojnë të gjitha kushtet”, ka thënë Merkel.

Tutje Merkel shoti se edhe pse konfliktet ushtarake në vitet 90’ janë tejkaluar, ka ende mosmarrëveshje të hapura që duhet zgjidhur në ato vende.

Përmes një video të publikuar së fundi në Facebook me rastin e Samitit të ardhshëm të Ballkanit Perëndimor, i cili si pjesë e procesit të Berlinit do të zhvillohet të premten, në qytetin e Polonisë, Poznan, Merkel theksoi se qëllimi është hapja e bisedimeve mes vendeve përmes të cilave do të arrihet bashkëpunim më i mirë.

Kancelarja gjermane tha gjithashtu se situata e tanishme në Ballkanin Perëndimor është e qetë, por ka sfida që duhet zgjidhur dhe është e nevojshme që të përmbushen kushtet për përgatitjen e vendeve për pranimin në BE.

“Rruga është akoma e çrregullt”, theksoi Merkel, transmeton Indeksonline.

Merkel theksoi faktin se në rajon ka shembuj pozitiv të dialogut, duke përmendur zgjidhjen e kontestit në mes Shkupit dhe Athinës sa i përket emrit të “Maqedonisë”.

“Me guxim politik, kryeministrat e Maqedonisë Veriore Zoran Zaev dhe ai i Greqisë Aleksis Tsipras kanë dëshmuar se mund të zgjidhen konfliktet, dhe me këtë rast i kanë hapur Maqedonisë Veriore perspektivën për të filluar negociatat e pranimit me BE dhe hyrjen e vendit në NATO. Një shembull i tillë pozitiv duhet të jetë inkurajim për të zgjidhur problemet në Bosnje dhe Hercegovinë, si ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, tha Merkel.

Merkel deklaroi gjithashtu se për çdo vit diskutohet një problem i madh, siç është ndërtim ii infrastrukturës, duke vënë në dukje se për këtë qëllim, BE-ja, ndihmon financiarisht.

“Ne duhet të ndërtojmë autostrada, hekurudha, rrugë .. sepse ne e dimë se, kur njerëzit janë të lidhur me infrastrukturë, pastaj do të vizitojë, shohin dhe takojnë më shumë njëri – tjetrin”, tha tutje Merkel.

Më 5 korrik në Poznnan zhvillohet një konferencë për Ballkanin Perëndimor, ku pjesë e saj do të jetë edhe kancelarja Merkel, me iniciativën e së cilës në vitin 2014 filloi edhe procesi i Berlinit, si proces ky që do të ndihmonte në përshpejtimin e dialogut dhe mundësisë së bashkëpunimit në mes rajonit./Indeksonline/