Qytetarët që votuan optimist për paqe dhe ecje për përpara
Qytetarët në Tiranë thonë se presin të bëhet më mirë nga zgjedhjet e sotme. Ata që kanë dalë të ushtrojnë të drejtën e tyre për votim, thonë se duan paqe dhe ecje përpara për qytetin dhe gjithë Shqipërinë.
Skender Shahini, për KosovaPress thotë se këto zgjedhje janë shuplakë për Partinë Demokratike, duke vlerësuar se këto zgjedhje kanë shkuar ashtu siç duhet.
“ Më të mirat, këto zgjedhje janë shuplakë për Partinë Demokratike, sepse pretendonte që gjoja që po bëheshin shkelje, por ja që zgjedhjet u bënë, kanë thënë se do të bëhet katastrofë, do të bëhet kështu-ashtu. U bë votim i qetë, normal, njerëzit po votojnë, pjesëmarrja ka qenë shumë e mirë edhe vazhdojnë të vijnë”, thotë ai.
E Marjeta Resuli thotë se ka ardhur në pushime vetëm që të votojë, në mënyrë që të ushtrojë të drejtën e saj të votës.
“Nga këto zgjedhje presim qetësi, paqe mes forcave politike dhe njëkohësisht populli të jetë i qetë, e të gjej zgjidhje, të gjej përkushtimin e forcave politike për popullin. E të dijnë që ka ligj, të administrojë ligjet dhe jo ide të secilit”, thotë Resuli.
Xhevrie Pisha, thotë se ka ardhur nga puna direkt për të votuar, për çka thotë se pret më të mirën për të gjithë.
“Me shpejtësinë më të madhe, nga puna direkt… Ne presim gjithmonë më të mirën, nuk presim që të shkojmë poshtë, do të rregullohet çdo gjë sepse nuk rregullohet me një të rënë të lapsit, avash avash rregullohen gjërat. Jo duke bërtit, jo duke gërthit, duke u zënë, duke hedhur bomba, nuk janë gjëra të mira për neve, ne nuk duam më të shkatërrohemi, duhet të ecim përpara”, thotë Pisha.
Që nga ora 7 e mëngjesit qytetarët e Shqipërisë kanë mundësi të votojnë për të zgjedhur 61 kryetarët e bashkive. Qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 19:00. Zgjedhjet lokale po monitorohen nga 150 vëzhgues të OSBE, gjithashtu nga misionet e ambasadave të huaja në Shqipëri.
Policia e Shtetit ka angazhuar 7779 efektivë, prej të cilëve 5876 punonjës po angazhohen për ruajtjen e objekteve dhe 1450 të tjerë janë në gatishmëri të procesit zgjedhor.
Këto zgjedhje që po mbahen pa pjesëmarrjen e opozitës së madhe.
Gjatë ditës në Tiranë dhe qytete të tjera janë mbajtur protesta nga opozita, duke thënë se këto zgjedhje janë vetëm votime, dhe se të njëjtat po bëhen sikur në kohën e diktaturës.