Tërnava: E kemi borxh dhe obligim kujdesin ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë
Është duke u zhvilluar konferenca “Të gjithë së bashku me një zë”, në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në këtë konferencë fjalën mori i pari i Bashkësisë Islame në Kosovë, Naim Tërnava.
Tërnava theksoi se e kemi obligim nga Zoti dhe detyrim shtetëror e nacional që kategorinë e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ta rehabilitojmë shpirtërisht e moralisht.
“Në familje, në rrethe, t’i integrojmë në institucioneve e shoqëri, sepse mbi veten e tyre nuk mbajnë asnjë fije faji. Ato nuk e kanë zgjedhur këtë dhe as që e kanë dëshiruar, janë thjeshtë viktima të pamundësisë tonë për t’i mbrojtur dhe për t’i ruajtur nga personat dhunuese. Duhet sensibilizuar vetëdijen shoqërore se bijat, motrat dhe nën tona viktima të kësaj dhune nuk janë me faj dhe nuk kemi asnjë të drejtë që të ngremë gishtin në drejtim të tyre”, tha Tërnava, shkruan Indeksonline.
Ai tha gjithashtu se kështu urdhëron Zoti, parimet e fesë islame, por edhe të besimeve të tjera.
“Për një çasje të tillë na duhet koordinim i institucioneve tona, për t’i integruar në shoqërinë të cilën po ndërtojmë.
Edhe 20 vjet pas përfundimit të luftës për këtë kategori të shoqërisë që nuk është numë ri vogël nuk është bërë sa duhet, sepse ka raste kur viktimat janë braktisur nga familja dhe shihen me syrin e fajësisë dhe nuk është shtruar ndonjë program për rehabilitim dhe trajnimin e tyre meritor”, tha Tërnava.
Tërnava shtoi gjithashtu se kujdesin ndaj tyre e kemi borxh dhe obligim/Indeksonline/