75 Mall Live Search
09:49 / E Martë, 02 Korrik 2019 / indeksADMonline

Mustafa: Miratimi i Deklaratës Kushtetuese më 2 Korrik 1990 ishte akti me rëndësi vendimtare për historinë e re të Kosovës

Me rastin e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa përmes një komunikate për media ka thënë se miratimi i Deklaratës Kushtetuese më 2 Korrik 1990 ishte akti me rëndësi vendimtare për historinë e re të Kosovës.

“Miratimi i Deklaratës Kushtetuese më 2 Korrik 1990 ishte akti me rëndësi vendimtare për historinë e re të Kosovës.

Kjo deklaratë ishte padyshim pikënisje e ndërtimit të shtetësisë së Kosovës. Ky akt me vlera të veçanta historike ishte gjithashtu shprehje e aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Shpreh mirënjohje të thellë për deputetët e Kuvendit të atëhershëm të cilët me përkushtim dhe vendosmëri në rrethana të jashtëzakonshme miratuan këtë deklaratë, duke shpallur Kosovën njësi të barabartë në federatën jugosllave.

 Përpjekjet e popullit të Kosovës për pavarësi do të kujtohen në të gjithë brezat”, ka thënë Mustafa.