Kurti për 2 korrikun: Është populli ai që prin me historinë kombëtare!
Përmes një shkrimi të bërë në llogarinë e tij Facebook, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka folur për rëndësinë e 2 korrikut, që sot u bën 29 vjet nga Deklrata Kushtetuese për Kosovën.
Ndër të tjera ai ka thënë se sot kujtojmë me nderim 114 delegatët që e kanë nënshkruar këtë deklaratë.
Ky është postimi i tij i plotë:
29 vjet më parë, me 2 korrik, jashtë ndërtesës së Kuvendit dhe para dyerve të tij u lexua Deklarata Kushtetuese për Kosovën. Ishte kjo shpallje e Kosovës si republikë-për-rezistencë, në kundërshtim të suprimimit të autonomisë së Kosovës të 23 marsit 1989, por edhe në kundërshtin të Rezolutës së Kuvendit të Prizrenit të 10 korrikut 1945 që suprimonte Konferencën e Bujanit. (Për këtë të fundit ka insistuar posaçërisht Prof.Dr.Gazmend Zajmi.)
Nëntë vjet para kësaj, Republika dhe Kushtetuta ishin kërkuar në demonstratat e vitit 1981: “ja me hatër, ja me luftë”! Ndërsa 18 vjet pas kësaj, në vitin 2008, pavarësia, pra sërish Republika, shpallet në Kuvendin e Kosovës, kësaj radhe brenda ndërtesës.
Janë të ndryshme përmbajtjet dhe aktorët. Por, nëse për një çast i pezullojmë në mendjen tonë devijimet që bëjnë politikanët, e përbashkëta është populli si intencë për liri e barazi, për drejtësi e bashkim. Teksa emrat e përveçëm bëjnë gara të prijnë në politikë (përfaqësuese), gjithsesi është populli ai që prin në historin (kombëtare).
Sot i përkujtojmë me nderim e respekt 114 delegatët që e nënshkruan dhe votuan Deklaratën Kushtetuese më 2 korrik 1990. Shumica dërrmuese shqiptarë, por disa edhe nga pakicat boshnjake dhe turke.