Krasniqi: Janë më shumë sesa 1001 arsyeje që Nisma duhet të qeverisë me vendin!
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka thënë se për partinë e tyre, sikur dhe ashtu edhe sot janë të bindur se “ndërtimi i mirëfilltë i shtetit të së drejtës është bazamenti që garanton hapjen e perspektivave ekonomike në interes të mirëqenies së qytetarëve, edukimin dhe arsimimin e të gjitha niveleve shkollore”.
Krasniqi përmes një shkrimi në facebook ka thënë se kanë kaluar më se pesë vite dhe në politikë vazhdon trendi i rënies dhe ende nuk ka shenja të përmirësimit në qeverisje, transmeton Indeksonline.
Derisa ka shtuar se jo vetëm gjërat që për këto vite nuk kanë ndryshuar, por vetëm sa janë degraduar.
“Thirrja për ndryshim vazhdon! Janë më shumë sesa 1001 arsyeje që NISMA Socialdemokrate duhet të qeverisë me vendin”, ka thënë Krasniqi.
Postimi i plotë në facebook:
PRIORITET I YNI NDËRTIMI SHTETI SOCIAL I SE DREJTËS
Kur para pesë viteve e formuam NISMËN për Kosovën, në Deklaratën Programore në mes të tjerave patëm nënvizuar:
“Mënyra e funksionimit autoritar në radhët e partive politike e cila u bartë në institucionet e shtetit u shndërrua në pengesë kryesore për ndërtimin e Kosovës si shtet i së drejtës. Autoritarizmi, despotizmi, tirania dhe të gjitha mënyrat jodemokratike të funksionimit e ngulfatën aspiratën për funksionimin e shtetit mbi parimin e së drejtës”.
Kanë kaluar më se pesë vite dhe në politikën tonë vazhdon trendi i rënies dhe ende nuk ka shenja të përmirësimit në qeverisje.
Ne atëherë nënvizonim se:
“Nisma për Kosovën (sot Socialdemokrate) do të sigurojë të gjitha kushtet politike dhe materiale për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në tërë vendin. Sigurimi i mjeteve dhe i teknikave më të sofistikuara për transparencën elektorale janë kushte të domosdoshme për të garantuar se çdo votë e qytetarit do t’i shkojë përfaqësuesit të zgjedhur nga ai”.
Problemi
për të garantuar votën e lirë vazhdon të jetë edhe sot e gjithë ditën. E vota e
lirë është themeli i demokracisë.
Ne, më 28 shkurt të vitit 2014 nënvizonim:
“Strukturat udhëheqëse politike të Kosovës e kanë për obligim të mbyllin të gjitha plagët e trashëguara nga e kaluar dhe një gjë të tillë mund ta bëjnë vetëm përmes funksionimit mbi vlerat dhe parimet demokratike. Nisma jonë kërkon bashkimin dhe besimin e qytetarëve të Kosovës për t’i bërë ndryshimet demokratike që i duhen vendit tonë”. Edhe sot jemi të bindur se pa vullnetin e qytetarëve për ndryshim, demokracia mbetet një “mollë e ndaluar” për njerëzit tanë.
Që atëherë e shihnim si domosdoshmëri “angazhimin për Çështjen e pensionistëve të Kosovës dhe plaçkitjes së fondeve të tyre ta ngremë në nivel ndërkombëtarë si Çështje që duhet të zgjidhet urgjentisht. Në këtë drejtim do të kërkojmë nga BE-ja dhe SHBA-të që të ndërmjetësojnë për gjetjen e një zgjidhje sa më të shpejtë dhe Nisma ka propozimet konkrete se si mund të tejkalohet ky problem dhe pensionistëve t’u kthehet e drejta e tyre, në mënyrë retroaktive”. Ne që atëherë e dinim se çka duhet bërë, por votat e qytetarëve orientoheshin nga partitë e djathta politike. Ne edhe sot jemi të bindur se pa politika të majta nuk do të ketë ndryshim në qeverisjen e vendit. Në dhjetë vitet e Pavarësisë, vendi është qeverisur nga partitë e djathta dhe ja ku jemi, si është më se keqi. Ne, na vije keq që gjatë viteve të lirisë e të pavarësisë, për kushte më të mira për punë e jetë janë larguar 20% e popullit tonë. Prandaj vendit si buka e uji i duhen politikat socialdemokrate.
Për Nismën Socialdemokrate, dje dhe sot ishim e jemi të bindur se “ndërtimi i mirëfilltë i shtetit të së drejtës është bazamenti që garanton hapjen e perspektivave ekonomike në interes të mirëqenies së qytetarëve, edukimin dhe arsimimin e të gjitha niveleve shkollore në përputhje të plotë me të arriturat shkencore dhe pedagogjike të demokracive perëndimore, përkujdesjen e tillë shëndetësore ku jeta dhe dinjiteti i njeriu është në qendër të vëmendjes”.
NISMA Socialdemokrate me të drejt konstatonte se “ Kosova gjeografikisht është pjesë e Evropës. Ambiciet e popullit tonë janë integrimi në strukturat politike të Bashkimit Evropian. Duke ndërtuar shtetin e së drejtës në Kosovë dhe duke funksionuar në përputhje me parimet dhe vlerat që janë në themelet e institucioneve politike të Bashkimit Evropian ne garantojmë dhe angazhohemi për perspektivën e sigurt evropiane. Ndërtimi i Kosovës evropiane është obligim i strukturave politike, edukative, arsimore, shkencore dhe i shoqërisë kosovare në përgjithësi. Përmbushja e obligimeve tona hapë rrugën drejt integrimeve në strukturat politike dhe të sigurisë euro-atlantike”.
Para pesë viteve kërkonim që të mësonim nga “forcat politike relevante evropiane (si të spektrit politik djathtë ashtu edhe atij të majtë) angazhohen për të ndërtuar Evropën ekonomike dhe sociale. Si rezultat i ekonomisë së tregut, i strukturave adekuate dhe garantimi i të drejtave sociale në Bashkimin Evropian kanë arritur rezultatet te konsiderueshme në të gjitha fushat e jetës. Ky solidarit, që shprehet me kohezionin ekonomik dhe social, siguroi prosperitetin e gjithanshëm të cilin e aspiron çdo shoqëri”.
Që ta ndërtonim Kosovën tonë mbi këto parime, mbi parimet e lirisë, drejtësisë, ligjësisë e të solidaritetit konfirmonim se: “Nisma Socialdemokrate angazhohet që ekonomia jonë të bazohet në struktura të mirëfillta të tregut dhe në të njëjtën kohë të merren parasysh dimensioni social e humanitar si dhe ai i mjedisit”.
Që atëherë konfirmonim se “Një ndër angazhimet me prioritet për Nismën (Socialdemokrate) do të jetë krijimi i kushteve të domosdoshme që përkujdesja për arsim publik e shëndetësi publike të jetë në nivelin më të mirë të mundshëm, ku secili qytetar i Kosovës të ketë mundësi të ketë arsim cilësor e kujdesin shëndetësor dhe trajtimin e nevojshëm në kohën e duhur”.
Në Deklaratën Programore të NISMËS që atëherë nënvizonim se: “Për këto arsyeje, thërrasim të gjithë ata qytetarë që nuk pajtohen me format e deritashme të funksionimit politik e institucional që të mobilizohen dhe së bashku ta ndërtojmë platformën politike të zhvillimit për të cilën ka nevojë Kosova”.
Në të gjitha segmentet që u ceken në ketë rast nga atëherë e deri më sot gjërat jo vetëm që nuk janë ndryshuar, por veç sa janë degraduar. Thirrja për ndryshim vazhdon! Janë më shumë sesa 1001 arsyeje që NISMA Socialdemokrate duhet të qeverisë me vendin.