Departamenti Special në Themelore dhe Apel, do të ndikojë në efikasitetin e trajtimit të lëndëve
Nga sot është funksionalizuar Departamenti Special në Gjykatën e Apelit dhe atë Themelore të Prishtinës, i cili do të ndikojë në rritjen e efikasitetit të trajtimit të lëndëve që bien në kompetencë të Prokurorisë Speciale.
Me rastin e funksionalizimit të këtij departamenti, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor Skënder Çoçaj, bëri të ditur se kanë përfunduar të gjitha procedurat, ku ai tha se janë zgjedhur gjashtë gjyqtarë, të cilët do të punojnë në departamentin Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe tre të tjerë në Gjykatën e Apelit.
“Krijimi i këtij departamenti do të ndikojë dukshëm në rritjen e efikasitetit të trajtimit të lëndëve, të cilat bien në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Tani më këto lëndë do të trajtohen nga ky departament i specializuar dhe do të kenë një trajtim më të veçantë, dhe besoj që rezultatet në këtë drejtim do të jenë evidente. Po ashtu, konsideroj se këto departamente do të bëjnë të mundshme që të bëhet edhe unifikimi i politikës ndëshkimore, pasi që edhe sa i përket politikës ndëshkimore këto çështje do të trajtohen në mënyrë të veçantë. Konsideroj se gjithashtu edhe sa i përket unifikimit të praktikës gjyqësore ky departament do të jetë i mundshëm, do të bëhet unifikimi i veprimeve apo i vendimeve procedurale që do të merren nga këto departamente, padyshim në bashkëpunim edhe me departamentet tjera”, tha ai.
Çoçaj bëri të ditur se për gjyqtarët e departamentit special do të mbahen trajnime të specializuara për lëndët, të cilat do t’i trajtojnë.
Funksionalizimin e këtij departamenti, kryetari i Gjykatës Supreme Enver Peci e ka quajtur si një të arritur të madhe.
“Konsideroj si e arritur shumë e madhe funksionalizimin e këtij departamenti dhe e përgëzoj Këshillin Gjyqësor që në afatet e parapara ligjore ka arritur të përfundojë të gjitha procedurat. Konsideroj se deri tani ka qenë e palogjikshme dhe e kam potencuar shumë e shumë herë që në kuadër të sistemit gjyqësor të kemi një Prokurori Speciale e rastet të gjykohen në 7 gjykata themelore. Kjo për shkak të shumë aspekteve që i konsideroj që kanë ndikuar dhe nuk ka qenë në rregull. Së pari, duhet të jem real se Kosova është e vogël dhe ndikimet e mundshme në formën më të mundshme munden me pas ndikime më të mëdha nëse gjykohet në 7 qendra qysh ka qenë. Në anën tjetër gjyqtarët e krimeve të rëndë edhe pse trajtonin rastet e Prokurorisë Speciale, të njëjtit paguheshin shumë më pak e në të njëjtën kohë kushtet logjistike, mos të flas edhe për kushtet tjera edhe të mbrojtjes edhe të sigurisë kanë qenë dukshëm m ë të mangëta me prokurorët tjerët që kanë punuar në Prokurorinë Speciale”, tha ai.
Fakti që të gjitha rastet në të ardhmen do të trajtohen në Prishtinë, sipas tij, do të jetë më e lehtë organizimi dhe caktimi i gjykimeve dhe në këtë mënyrë do të rritet efikasiteti dhe transparenca.
Ndërkaq, kryetari i Gjykatës së Apelit Hasan Shala, tha se nga tash e tutje aktakuzat e Prokurorisë Speciale do të trajtohen në nivel më profesional.
Shala tha se me funksionalizimin e këtij departamenti është koha që të tregojnë se kushdo që ka bërë krime nuk do të amnistohet.
“Nga tash e tutje aktakuzat e Prokurorisë Speciale do të trajtohen në nivel më profesional, gjë që e kemi kërkuar në vazhdimësi. Nga sot do të ketë më shumë arsye për të punuar, e më pak për të justifikuar. Unë kam besim te gjyqtarët e Departamentit Special në të dy nivelet, besoj dhe jam i bindur se janë njerëzit e duhur në momentin e duhur, të cilët gjyqësorin e Kosovës do ta dërgojnë në tjetër nivel. Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit është detyrim kombëtar, dhe akt i lartë patriotik për të gjithë, e sidomos për ne. Them kështu ngase është pikërisht kjo dukuri që po rrezikon të ardhmen e shtetit tonë, prandaj nga sot është momenti që të tregojmë se kushdo që ka bërë krime nuk do të amnistohet, kushdo që ka bërë krime do të përgjigjet para drejtësisë, kushdo që ka bërë krime do të dënohet sa e meriton. Është momenti t’i tregojmë qytetarëve tanë se nuk do të ketë asnjë forcë mà « të madhe se forca e ligjit dhe nuk do të ketë sundues më të madh se ligji”, tha ai.
Ndërsa, Afërdita Bytyçi, kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë, tha se themelimi i këtij departamenti është paraqitur si domosdoshmëri dhe nevojë e kohës me qëllim të luftimit të suksesshëm të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Themelimi i Departamentit Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë është paraqitur si domosdoshmëri dhe nevojë e kohës me qëllim të luftimit të suksesshëm të krimit të organizuar, korrupsionit, parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit në vendin tonë. Pasi që Republika e Kosovës gjendet në faza fillestare të integrimeve evropiane dhe euroatlantike, ku sundimi i ligjit dhe shteti i së drejtës është ndër kriteret kryesore për integrim. Kjo komponentë pritet të përmbushet nga gjyqësori i Kosovës, ku Gjykata Themelore në Prishtinë në përmbushjen e kësaj komponentë luan një rol të rëndësishëm… Jam e bindur se formimi i këtij Departamenti Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë do t’i shërbejë profesionalizimit dhe njëkohësisht profilizimit të gjyqtarëve të këtij departamenti, të cilët së bashku me Prokurorinë Speciale do të jenë promotor të luftimit të krimit në vend”, tha ajo.
Themelimi i Departamentit Special në Gjykatën e Apelit dhe në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ishte paraparë me hyrjen në fuqi të ligjit për gjykatat, ligj i cili ka hyrë në fuqi në janar të këtij viti.