Visar Ymeri: Rekrutimi i noterëve të hetohet nga shteti
Deputeti i PSD-së, Visar Ymeri, ka kërkuar që të hetohet procesi i rekrutimit të noterëve të rinj.
Sipas tij. Ky proces duhet të hetohet nga organet e Kosovës dhe nga parterët e Ambasadës së Zvicrës, të cilët kanë merita për ndërtimin e sistemit noterial në vend, transmeton Indeksonline.
Postimi i Ymerit pa ndërhyrje:
PROCESI I REKRUTIMIT TË NOTERËVE TË RINJ TË HETOHET NGA SHTETI DHE TË VLERËSOHET NGA PARTNERËT ZVICERAN
Procesi i rekrutimit të noterëve të rinj që organizohet nga Ministria e Drejtësisë duhet të hetohet nga organet përgjegjëse të Republikës së Kosovës dhe të vlerësohet nga partnerët e Ambasadës së Zvicrës, të cilët kanë merita për ndërtimin e sistemit noterial në Kosovë.
Procesi i tanishëm i rekrutimit të noterëve të rinj ka prirje ta komprometojë sistemin e noterisë që u ndërtua me kredibilitet të brendshëm dhe të jashtëm, kryesisht falë ekspertëve zviceran të Institutit për Studime të Larta Noteriale (I-H-N).
Pavarësia politike e sistemit të noterisë është parakusht për garantimin e një sistemi funksional dhe bashkëkohor noterial që i shërben shtetit të së drejtës, përforcimit të aparatit gjyqësor dhe konsolidimit të shtetësisë së Republikës së Kosovës./Indeksonline/