Izraeli ka martirizuar 16 fëmijë në gjysmën e parë të këtij viti
Izraeli në gjysmën e parë të këtij viti ka martirizuar 16 fëmijë në Rripin e Gazës të cilin e mban për vite të tëra nën bllokadë, raporton Anadolu Agency.
Sipas raportit të publikuar nga Qendra për të drejtat e njeriut “El-Mizan”, Izraeli në gjysmën e parë të këtij viti ka martirizuar 16 fëmijë ndërsa ka plagosur 1.223 të tjerë.
Në të njëjtën periudhë nga forcat izraelite janë arrestuar edhe 17 fëmijë, ku shumica e fëmijëve janë përballur me vdekjen dhe plagosjet gjatë pjesëmarrjes në protestat e ‘Marshit të Kthimit të Madh‘ të cilat mbahen në kufirin e Gazës.
Më tej në raport vihet në dukje se forcat izraelite kanë bërë sistematikisht shkelje të të drejtave të njeriut në Rripin e Gazës, ndërsa nga të dhënat zbulohet se ka patur rritje në rastet e vrasjes dhe plagosjes së fëmijëve në gjysmën e parë të vitit 2019.
Raporti thekson se fëmijët janë më të prekurit nga sulmet e konfliktit dhe po ashtu mbrohet ideja se shkeljet e vazhdueshme të Izraelit janë një reflektim natyror i paaftësisë së komunitetit ndërkombëtar për të përmbushur detyrimet e saj morale dhe ligjore ndaj civilëve që jetojnë në territoret palestineze, veçanërisht në Rripin e Gazës nën bllokadë. /IndeksOnline/