Ridestinimi i mjeteve për ndërtimin e sallës koncertale shqetëson komunitetin e muzikës
Filharmonia e Kosovës, Dega e Artit Muzikor i Fakultetit të Arteve dhe komuniteti i muzikës klasike në Kosovë sot kanë paralajmëruar një konferencë për media.
Kjo pas lajmit për ridestinimin e 15.4 milionë eurove të planifikuara për ndërtimin e sallës koncertale në kryeqytet.
Sipas tyre, humbja e mundësisë për realizimin e një projekti i cili do t’i sillte kryeqytetit sallën e parë koncertale është i papranueshëm dhe si i tillë nuk duhet të ndodh.
Në konferencë do të bëhen të ditur edhe hapat që komuniteti do të marrë derisa kërkesa për ndërtimin e sallës koncertale në Prishtinë të realizohet.
Ndryshe, ka qenë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, që ka njoftuar se Ministria e Integrimeve Evropiane ka dërguar letër në BE për të ridestinuar mjetet për sallën koncertale në Prishtinë.
“Kur kemi kontaktuar kryeministrinë, thonë se nuk janë në dijeni për veprimin e ministres. Në BE thonë se për herë të parë letra është dërguar direkt në Bruksel e jo përmes zyrës së BE në Prishtinë.Meqenëse tani edhe e kemi marr letrën jozyrtarisht nga Brukseli, kjo nuk mund të jetë asgjë tjetër pos tentim bllokim për arsye politike”, deklaroi Ahmeti.
Ai tha se zyra e BE e ka informuar se nuk do të heqin dorë edhe pse pas kërkesës së qeverisë duhet të diskutohet salla në IPA fondet 2019. Sipas tij, salla do të bëhet në këtë mandat.