Daçiq komenton deklaratën e kryeministrit Haradinaj për rolin e Francës në dialog
Kreu i diplomacisë së Serbisë Ivica Dacic ka komentuar deklaratën e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj për rolin e Francës në arritjen e marrëveshjes në mes të Beogradit dhe Prishtinës.
Ai shpjegoi se kjo është parë edhe gjatë takimit të fundit në Berlin, dhe tha se vizita e presidentit të Francës Emmanuel Macron në Serbi është një mesazh i mirë edhe për Prishtinën, duke pasur parasysh se ai nuk do të shkojë atje, por vetëm në Beograd.
“Unë e shoh se si Haradinaj respekton rolin e Francës. Ata nuk dinë më ku të godasin”, tha Daçiq për TV Prva dhe shpjegoi se si Haradinaj u soll në takimin në Berlin, duke nënçmuar, siç tha ai, kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
“Ata në një moment i thanë: Shfuqizoni taksat dhe ne mund të sigurojmë që të hiqen vizat, pas së cilës Haradinaj tha “Kush do të na garantojë këtë””, tha Daçiq, duke shtuar se “Haradinaj me këtë tregoi se Macron dhe Merkel për Prishtinën nuk janë garanci”.
Daçiq tha se Haradinaj nuk do të sillet në atë mënyrë që ai “nuk ka ndonjë mbështetje prapa tij” dhe shtoi se shtrohet pyetja se kush dëshiron të bëjë përparim në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.
“Le të fillojmë së pari të negociojmë përsëri dhe Prishtina mos të inkurajohet në këtë mënyrë, duke kryer vazhdimisht disa akte të njëanshme”, tha Daçiq.
Në pritjen në Ambasadën franceze në Prishtinë, me rastin e Ditës së Rënies së Bastilës, kryeministri i Kosovës Haradinaj tha se roli i Francës në arritjen e një marrëveshjeje midis Beogradit dhe Prishtinës po rritet dhe i bëri thirrje Macron të angazhohet edhe më shumë në zgjidhjen e kësaj çështjeje.
“Shfrytëzoj këtë mundësi për t’ju falënderuar për këtë dhe i bëj thirrje presidentit francez të angazhohet më shumë në adresimin e kësaj çështjeje. Ajo që nevojitet tani është gjetja e një kuadri për njohjen reciproke të kufijve ekzistues midis Kosovës dhe Serbisë, gjë që është thelbësore për dialog të mëtejshëm”, tha Haradinaj.