Baraliu: Padrejtësi e madhe që Haradinaj të ftohet sërish në Hagë
Njohësi i çështjeve politike në vend, Mazllum Baraliu ka komentuar dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, pasi ai mori ftesë për tu paraqitur në Gjykatën Speciale në cilësinë e të dyshuarit.
Ai ka thënë se është padrejtësi që dikush dy herë të akuzohet për të njëjtën çështje, meqë është verifikuar njëherë pafajësia e tij nga Gjykata e Hagës.
“Është padrejtësi e madhe, e paprecedent, për arsye se ai është shpallur njëherë i pafajshëm nga Gjykata Speciale. Pra tani nuk ka pasur asnjë bazë, asnjë arsye që kjo Gjykatë edhe njëherë ta thërrasë atë në dyshim për të kaluarën e tij. Është padrejtësi e madhe”, ka thënë ai për Indeksonline.
Baraliu, dorëheqjen e kryeministrit e ka quajtur akt moral personal me një ndërgjegje të lartë.
“Unë mendoj që është akt personal, në radhë të parë dhe do thosha se ai është i bindshëm dhe i gatshëm të ballafaqohet me çfarëdo sfide dhe çfarëdo kërkese nga Gjykata”, u shpreh Baraliu.
Ndryshe kryeministri Ramush Haradinaj ka njoftuar sot në fund të mbledhjes së qeverisë se ka paraqitur dorëheqjen nga posti kryeministror. Haradinaj thotë se ky vendim vjen për shkak se ka marrë thirrje për t’u paraqitur në Gjykatën Speciale të Hagës si i dyshuar./Indeksonline/