75 Mall Live Search
17:13 / E Shtunë, 20 Korrik 2019 / indeksADMonline

Festivali që promovon gastronominë shqiptare: “Bukë e kripë e zemërbardhë”

Ka filluar edicioni i parë i festivalit Prishtina Gastronomy Festival , në Prishtinë , që ka për qëllim promovimin e gastronomisë shqiptare duke sjellë kuzhinën dhe traditat kulturore shqiptare. Ky festival që mblodhi kuzhinierët  më të mirë shqiptarë, do të ketë edhe aktivitete që do ta shoqërojnë përgjatë dy ditëve.

Koordinatorja për media e këtij festivali, Tanita Zhubi, tha se ideja fillestare e organizmit të një festivali të tillë është krijimi i një platforme ku kuzhinierët, antropologët, historianët dhe të gjithë të tjerët të kenë mundësi të diskutonin për traditën kulinare shqiptare.

“Qëllimi kryesor dhe ideja fillestare që është bërë festivali është krijimi i një platforme ku kuzhinierët, antropologët, historianët, të kenë mundësi të vijnë për të diksutuar për traditën kulinare shqiptare në tërësi.- deklaroi ajo.

Aktivitetet të ndryshme të cilat e shoqërojnë festivalin gjatë dy ditëve janë forumet në të cilat diskutohen tema në lidhje me gastronominë. Po ashtu, është këndi i trashëgimisë ku flitet për trashëgiminë si dhe do të ketë gatime tradicionale nga gratë. Gjithashtu, do të ketë muzikë dhe punëtori me tema të ndryshme që do të mbahen në këtë festival.

Mirëpo, Zhubi zbuloi se po përgatitet edhe një edicion tjetër i këtij festivali, që më shumë do t’i përngjajë një panairi, që do të mbahet në Berlin. Sipas saj, atje synojnë të promovojnë produktet dhe kompanitë “Made in Kosova”.

Gjersa shefi i kuzhinës, Përparim Babalija, tha se festivale të tilla i duhen Kosovës, pasi në vendet e rajonit vetëm brenda vitit organizohen deri në katër të tilla. Ai u shpreh se është promotor i kuzhinës shqiptare njëjtë sikurse edhe qëllimi i këtij festivali.

“Kosovës i duhen festivale të tilla sepse ne shumë jemi deficit me rajonin të cilët organizojnë festivale tre apo katër në vit, kurse në Prishtinë është për herë të parë që po mbahet.” -tha ai.