75 Mall Live Search
11:05 / E Hënë, 29 Korrik 2019 / indeksADMonline

Edhe një vit mandat për Gjykatën Speciale

Gjykata Speciale, pas katër viteve prej që është themeluar, këtë vit ka shtuar aktivitetin e saj në terren. Ftesa të shumta ka dërguar ajo në adresë së ish pjesëtarëve të UÇK-së, përfshirë edhe ish-komandantë të zonave të ndryshme. Mandati i kësaj gjykate ndonëse me ligj është pesë vjeç, sipas njohësve të drejtësisë ai mund të zgjatet edhe nëse për këtë nuk ka më vullnet nga autoritetet kosovare.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj ka thënë për Indeksonline se sipas amandamentit kushtetues lidhur me themelimin e Dhomave të specializuara, mandati i Dhomave të specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të specializuar do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare, përveç nëse njoftimi i përfundimit të mandatit nuk bëhet më herët.

“Në këtë drejtim, sipas amandamentit kushtetues, përveç nëse gjykata nuk informon qeverinë e Kosovës për përfundimin e mandatit të saj, mandati prej pesë viteve konsiderohet se vazhdohet me automatizëm”, ka thënë Miftaraj.

Respektivisht Gjykata Speciale, sipas tij, do të ushtroj mandatin e saj deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet në konsultim me Qeverinë.

“Rrjedhimisht, Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria janë të përjashtuar për të pasur vendimmarrje lidhur me vazhdimin apo ndërprerjen e mandatit të kësaj gjykate”, ka thënë ai.

Ndërsa avokati Arianit Koci ka thënë për Indeksonline se në rast se një notifikim/njoftim i tillë nuk është dhënë, atëherë mandati i Dhomës së Specializuar dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të vazhdojë deri në dhënien e njoftimit në bazë të Ratifikimit të Marrëveshjes mbi EULEX-in si dhe në konsulta me Qeverinë (Paragrafi 14).

Në bazë të asaj se çka përmban legjislacioni themelues i kësaj gjykate si amendamentet, ashtu dhe ligjet, ligjdhënësi nuk ka paraparë diçka konkrete lidhur me vazhdimin e mandatit të kësaj gjykate, përveç siç është thënë më sipër.

“Amendamenti 24 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shërben si kornizë ligjore e themelimit të Gjykatës Speciale dhe çdo vazhdim të këtij mandati do të kërkonte një amendament të ri, i cili marrë parasysh klimën politike aktuale është pothuajse i pamundur të arrihet, meqë Kushtetuta parasheh që ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen me dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përfshirë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kosovë”, ka thënë Koci.

Rikujtojmë se deputetët e Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit 2015 votuan ligjin që i hapte rrugë krijimit të Gjykatës Speciale e cila pretendon se po trajton krimet e supozuara të kryera nga UÇK-ja./Indeksonline/