75 Mall Live Search
14:23 / E Martë, 30 Korrik 2019 / indeksADMonline

Naftëtarët paralajmërojnë padi ndaj ministrit Shala

Shoqata e ndërmarrjeve që merren me qarkullim të naftës, derivate të naftës, gazrave dhe lubrifikanteve (SHQNGL) ka kundërshtuar vendimin e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, që obligon kompanitë që shesin derivate t’i pastrojnë rezervarët çdo tri vjet.

Në mbledhjen e Kuvendit të SHQNGL-së, të martën u kërkua që ministri të shfuqizojë udhëzimin administrativ, pasi sipas naftëtarëve, po i ngarkon bizneset me një kosto të madhe.

Kryetari i Shoqatës, Fadil Berjani, tha se kanë pasur takim me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, porse nuk janë marrë parasysh kërkesat e tyre.

Ai tha se është për t’u habitur se një ministër në largim merr një vendim të tillë dhe i lë naftëtarët në pozitë të keqe, duke mos pasur as ku të ankohen.
Sipas tij, Shoqata e naftëtarëve është për pastrimin e rezervuarëve sipas standardeve të Bashkimit Evropian, e që siç tha ai, është mbi 10 vjet.

“Pastrimi i rezervuarëve nuk shkon vetëm në dëm të qytetarëve, sepse një pastrim i rezervuarit në Slloveni e në regjion shkon deri në 700 euro… Po në momentin e fundit, ministri në rënie, që unë mendoj është një skandal të nënshkruaj një udhëzim administrativ ku i dëmton bizneset dhe qytetarët, shkruan të bëhet çdo tri vjet pastrimi i rezervuarëve. Ju lutem, nuk është normale që pastrimi i rezervuarëve të bëhet çdo tri vjet”, tha ai.

Berjani tha se MTI-ja kishte tentuar që çdo vit të ketë pastrim të rezervarëve, që sipas tij nuk ka logjikë.

“Vetë Ministria e ka qit Udhëzimin Administrativ për 5 vite, që do të bëhet pastrimi i rezervuarëve. Këtu e kam shkrimin ku ministria ka kërkuar që çdo vit me e bë pastrimin e rezervuarëve, a ka logjikë kjo? Kjo ka qenë oferta e ministrit Shala dhe grupit punues në MTI. Ne e kemi ngritur zërin, ju e dini mirë”, u shpreh Berjani.

Anton Figel, naftëtar nga Sllovenia, tregoi si është e rregulluar kjo punë në Slloveni. Ndërsa çdo 5 vjet, ai tha se kontrollohet cilësia e naftës, porse nuk mbyllet puna e pompës.

“Në Slloveni pastrimi i rezervuarëve bëhet çdo 10-15 vjet, varësisht prej madhësisë dhe kapacitetit të rezervuarëve”, tha ai.

E naftëtari Behadin Rexhepi propozoi që ndaj ministrit në detyrë Shala të ngritet një padi, për shkak të ngarkesës që u ka shkaktuar bizneseve me vendimin për pastrimin e rezervarëve.

“Ministrit Shala t’i bëhet një padi në Gjykatë, sepse na ka bërë këtë shqetësim të rëndë, sepse nuk është e lehtë për neve, gjithë bizneset të jenë në këtë shqetësim”, u shpreh ai.

Në këtë mbledhje u kërkua edhe themelimi i institutit që do të hulumtojë cilësinë e naftës, dhe të ketë fjalën e tij kryesore në hartimin e ligjit. Ndërsa në mesin e rekomandimeve të miratuara në fund të kësaj mbledhje, ishte edhe propozimi për ngritjen e një padie ndaj ministrit në largim, Endrit Shala.