75 Mall Live Search
17:37 / E Shtunë, 03 Gusht 2019 / indeksADMonline

Kosova U17 pëson në ndeshjen e parë të Kampionatit Evropian

Kombëtarja U17 e Kosovës në hendboll (femrat) ka luajtur të shtunën ndeshjen e parë në kampionatin evropian, Divizioni B.

Në Lignano Sabbiadoro të Italisë, kombëtarja jonë pësoi humbje nga Çekia me rezultat 39:18. Pas pjesës së parë rezultati ishte 19:7 për çeket.

Është hera e parë që ky grup i vajzave luan së bashku dhe kjo është vërejtur në lojën tonë. Ka pasur gabime të shumta teknike dhe komponimi jo i duhur ka bërë të veten. Por natyrisht ka pasur edhe periudha të suksesshme në lojën tonë dhe aksione të bukura, të cilat në ndeshjet e ardhshme shpresojmë që do të jenë edhe më të shpeshta.

Në fakt loja e kombëtares tonë pritet të përmirësohet në vazhdim të kampionatit. Pritjet janë solide nga ky evropian, që para së gjithash do të shërbejë për të fituar përvojë vajzat e reja dhe për t’u komponuar sa më shumë kjo gjeneratë.

Melisa Mulaj ishte më efikasja te Kosova me 8 gola.Vajzat tona nuk do të kenë kohë për pushim. Menjëherë të dielen nga ora 14:00 takohen me Turqinë, që ka gjeneratë të suksesshme poashtu./Indeksonline/