I shurdhri në mesin e banorëve komunikativë
Muharremi është një djalë i shurdhër që jeton në Stamboll. Një mëngjes ai u befasua nga njerëzit e lagjes, të cilët i flisnin në gjuhën e tij, d.m.th. me gjuhën e shenjave.
Banorët e lagjes vendosën ta mësonin gjuhën e shenjave në fshehtësi për ta befasuar të riun, në mënyrë që të mos e ndiente vështirësinë e komunikimit. Ata shkuan në një vend, që Samsung kishte ngritur për tëmësuar gjuhën e shenjave dhe kaluan një muaj për ta mësuar.
Samsung vendosi kamera për të xhiruar ditën e parë të kësaj befasie për Muharremin. I pari e përshëndeti duke i thënë mirëmëngjesi, gjë që e mahniti atë. Çudia iu shtua, kur ai shkoi në furrën e bukës ku bukëpjekësi i foli më gjatë me gjuhën e shenjave. Kështu vazhduan edhe i treti, i katërti e kështu me radhë deri tek i fundit, kur edhe iu zbulua se si kishte ndodhur befasia. Ai nga emocionet nuk mund t’i përmbante lotët e gëzimit.
Veprimi human i jashtëzakonshëm i tyre të lë gojëhapur. Sa shumë prej njerëzve mësojnë gjuhën e të fortit apo gjuhën prej së cilës kanë interes shkollimi apo punësimi, mirëpo ka pak njerëz që e mësojnë gjuhën e dikujt për ta bërë atë të ndihet mirë, si gjuhën e shenjave në këtë rast.
Është fakt se të gjithë nuk mund ta mësojmë gjuhën e tyre, por është edhe një fakt tjetër, se ne mund ta mësojmë gjuhën e tyre më shumë se ata të folurit, sepse ata nuk kanë mundësi të flasin përderisa nuk dëgjojnë, por ne kemi mundësi të mundohemi t’i kuptojmë dhe t’i mësojmë disa shenja që, së paku deri diku t’i kuptojmë, që mos të ndihen ata si të huaj dhe të pakuptueshëm në mesin ku jetojnë.
Thjesht ata janë të sprovuar se a po durojnë për hir të Zotit, ndërsa ne që flasim jemi të sprovuar se a po e falënderojmë Zotin për këtë begati, si po e shfrytëzojmë atë dhe si po i trajtojmë ata që nuk e kanë këtë mundësi. Pra, të gjithë jemi të sprovuar, vetëm se lloji dhe forma e sprovës dallon. Fitimtar është ai që sprovën e kalon sipas vullnetit të Zotit, e jo sipas mendimit të tij personal.