75 Mall Live Search
17:22 / E Mërkurë, 07 Gusht 2019 / indeksADMonline

Arsyeja që dyshohet që çoi në vrasjen e bashkëshortes, flet vëllai i vrasësit

Ka shkrepur 15 plumba në gruan 20 vjet më të re, Armendën, me të cilën po jetonte tash e sa kohë në Zvicër. Bajram Veliaj, 61-vjeçari nga Prizreni, pastaj i ka telefonuar vëllait dhe policisë për të treguar se e ka kryer krimin.  Gjithçka ndodhi pas një fjalosjeje, derisa 42-vjeçarja po priste taksinë për t’u larguar nga shtëpia. Vëllai i Bajramit thotë se janë të shokuar nga ngjarja, ndërkohë që fqinjët kanë dhënë versionet e tyre se si e njohin çiftin.

E pritën me qejf muajin gusht për të ardhur në vendlindje. Erdhën të lumtur si krejt bashkatdhetarët e tjerë. Çifti Velija morën rrugë nga Zvicra për në Prizren gjatë muajit korrik. Një javë kaloi e qetë, derisa pushimi i tyre mori një kahe krejt tjetër, tragjike.

Një zënkë e ashpër në mes Bajramit dhe Armendës, shkoi aq larg sa askush nuk e priste. Bashkëshorti zgjodhi rrugën më të tmerrshme për ta ndaluar debatin me gruan e tij, atë të vrasjes. Me 15 plumba Bajram Velija shtiu mbi gruan Armenda Aliun – Veliajn, me të cilën ishte i martuar që disa vite.

Familja e të dyshuarit: Jemi të shokuar, nuk e dimë se çka ka ndodhur. Gruaja e tij ka qenë shumë e mirë

Të shokuar nga e gjithë kjo ngjarje e rëndë janë dy vëllezërit e Bajramit. Njëri nga ta ka treguar për Express se mbrëmë vëllai i tij e kishte thirrur atë në telefon. “E kam vra gruan”, tregon ai se i kishte thënë.

“Kurrë nuk e kisha mendu që ka ndodhë kjo. Ne nuk jemi familje kriminele. Ka ndodhë ajo. Vëllai mbrëmë më ka thirrur, më tha kështu: E vrava gruan. Unë nuk besoja. Thashë nuk ka shanse me ndodhë”, tregon vëllai i të dyshuarit për vrasje.

Ai thotë se tashmë e ndjera në momentin kritik kishte qenë duke hipur në taksi. Njëri nga vëllezërit tregon se çifti mund të kenë pasur disa telashe me njëri-tjetrin.

“Ajo ka qenë duke hipur në taksi, edhe ka ndodhë. Ata kanë jetuar bashkë në Zvicër. Telashe familjare ka pasur. Rasti është nën hetime. Që vjen puna deri në këtë shkallë kurrë nuk e kisha besu”, rrëfen vëllai i Bajramit.

Ndërkohë njëri nga fqinjët e të dyshuarit ka thënë se Bajram Velija, kohëve të fundit kishte shfaqur shenja agresiviteti.

“Unë kam pas raporte të mira me të dyshuarin. Ky me fol shpirtnisht nuk ka qenë shumë i rehatshëm. E ka lëshuar gruan e tij, ajo është në Zvicër me dy fëmijë. Ka qenë me një grua tjetër. Tash është me një grua tjetër, nga Prishtina. Kjo që po dyshohet se e ka vrarë. Ajo grua ka qenë e mirë. Shpirtmirë. Ky u kanë çu peshë, për mexhë më ishte kapur një herë”, ka thënë njëri nga fqinjët.