Shqipëria U-19 mposhtet nga të rinjtë e Real Madridit
Shqipëria U-19, e drejtuar nga trajneri Nevil Dede, është mundur me rezultatin e ngushtë 2-1 nga Real Madrid U-19 në ndeshjen debutuese të “International Memorial Tournament”, turne ky që po zhvillohet në Zagreb të Kroacisë.
Ndeshja ka filluar më mirë për kuqezinjtë që në minutat e para kanë mbajtur kontrollin e lojës dhe i janë afruar rrezikshëm portës së spanjollëve me Ibrahimin dhe Muçin. Loja më pas u ekuilibrua dhe skuadra e Dedes u godit nga një gol në minutën e 26-të me autor Aranda, që shënoi nga brenda zonës së rreptësisë pas një goditje nga këndi.
Në minutën e 36-të janë përsëri madrilenët që dyfishojnë me anë të Martin. Lojtarët shqiptar provojnë të reagojnë dhe i afrohen golit në minutën e fundit të pjesës së parë me Ibrahimin. Me rezultatin 2-0 u mbyll dhe fraksioni i parë i lojës. Pjesa e dytë fillon me gol për skuadrën tonë, Ernest Muçi shënon një gol të shkëlqyer në minutën e 44-të, falë një driblimi dhe një goditjeje nga jashtë zone.
Pavarsisht rasteve dhe mundësive të tjera për shënim që kishin të dy skuadrat rezultati nuk ndryshoi dhe gjithçka u mbyll me fitoren 2-1 të Real Madrid.
Shqipëria U-19 do të luajë nesër në orën 18:15 ndeshjen e dytë në këtë turne, ku do të përballet me organizatorët e Dinamo Zagreb. Të shtunën skuadra e Nevil Dedes do të luajë ndeshjen e tretë në grup kundër Olimpja Lubjanë.
Shqipëria e filloi ndeshjen me këtë formacion: Malaj, Lucaj, Rexhepi, Selishta, Hida, Beqja, Gashi, Rrapaj, Ibrahimi, Muçi, Prenga. (U aktivizuan: Bernaca, Shimaj, Shabani, Beu, Ajazi, Nurja)./Indeksonline/