Dehidratimi i fëmijëve, simptomat dhe kujdesi gjatë verës
Gjatë muajve të verës rritet numri i fëmijëve të cilët shtrohen në spitale. Kjo ndodh për shkak të dehidratimit, si pasojë e qëndrimit në diell për orë të tëra, që shkakton probleme dhe komplikime të rënda te fëmijët e moshave të vogla.
Humbja e sasisë së lëngjeve në organizëm në shumë raste mund të kthehet në problem të rëndë shëndetësor për grupmosha të ndryshme. Por më problematike kjo gjendje shfaqet te moshat e vogla, sidomos gjatë stinës së verës. Situata mund të rëndohet edhe më shumë kur shoqërohet me shfaqjen e diarresë, vjelljet ose aktivitetin fizik të tepruar.
Simptoma karakteristike e shfaqjes së dehidratimit është tharja e organizmit, vështirësia gjatë procesit të urinimit dhe gjatë procesit të jashtëqitjes. Në shumë raste të tjera ndodh që të shoqërohet dhe me shfaqjen e temperaturave të larta, vjellje, djersitje etj.
Mjekët këshillojnë të gjithë prindërit se në rastet kur shfaqen vjelljet duhet ndërhyrë në trajtimin dhe parandalimin e tyre. Prandaj fëmijët duhet të jenë nën kontrollin e mjekëve, të cilët do të japin trajtimin e duhur sipas situatës.
Gjatë zëvendësimit të lëngjeve këshillohet që uji të përdoret i zier, si edhe të shmanget konsumi i lëngjeve me sheqer apo i atyre me përmbajtje gazi, pasi nuk kanë efektet e duhura. Lidhur me ushqimet duhen konsumuar ato produkte që kanë përmbajtje të lëngët.
· Evitoni ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut,
· Mbajtja e kushteve të duhura higjienosanitare,
· Duhet t’u jepni fëmijëve ujë të zier,
· Mospërdorimi i qumështit dhe produkteve të tij,
· Për moshat e vogla këshillohet dhënia e lëngjeve pas çdo 5-10 minutash,
· Përdorimi i antibiotikëve vetëm pas 72 orësh.