Ismaili përuron transformimin e Emergjencës, në Spitalin e Gjilanit
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka përuruar sot transformimin e Repartit të Shërbimit Emergjent, në spitalin e Gjilanit.
Në këtë repart janë investuar rreth 200 mijë euro për rinovim dhe aparaturëat mjekësore për ta krijuar një shërbim modern që u përgjigjet kërkesave të qytetarëve.
Gjatë përurimi të këtij reparti, ministri Ismaili ka thënë se i gjithë ky investim është bërë i mundur falë luftës së madhe kundër korrupsionit, që është bërë gjatë këtyre dy vjetëve në shëndetësi.
“Sot është një tjetër ditë e mirë për shëndetësinë dhe luftën tonë kundër korrupsionit. Jemi në repartin e shërbimit emergjent në Spitalin e Gjilanit ku së fundmi kemi investuar rreth 200 mijë euro për ta transformuar këtë repart”, ka thënë ministri Ismaili.
Ministri Ismaili ka shtuar se qytetarët e Gjilanit nga sot kanë në dispozicion një shërbim modern që do t’u përgjigjet të gjitha kërkesave emergjente.
“Kënaqësi e dyfishtë të shoh nga afër investimet që janë bërë të mundura falë luftës së madhe kundër korrupsionit, të cilën kemi bërë këto dy vjet në shëndetësi”, ka thënë ministri Ismaili.
Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, ka thënë se edhe ky investim është bërë në vazhdën e përmirësimit të kushteve për profesionistët shëndetësorë dhe pacientët.
Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, ka thënë se tani pacientët kanë një shërbim shumë më të mirë shëndetësor dhe ka falënderuar ministrin Ismaili dhe drejtorin Sejdiu për mbështetjen e madhe për ta realizuar këtë projekt.